Italia 20 vjet makth, Botërori për “Të Kaltrit” është bërë një mal i lartë për t’u ngjitur
Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka prezantuar një iniciativë të re që synon përshpejtimin e procesit të vizave për të gjithë vizitorët që planifikojnë të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara për Kupën e Botës vitin e ardhshëm.
Programi i ri, i quajtur “FIFA Pass”, do të mundësojë marrjen më të shpejtë të takimeve për vizë për personat që kanë blerë bileta zyrtare të eventit përmes FIFA-s, duke eliminuar nevojën për intervistë në disa raste. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili u takua me Trump në Zyrën Ovale, shpjegoi funksionimin e sistemit të ri. “Nëse keni një biletë për Kupën e Botës, mund të keni vende prioritare për viza”, deklaroi Infantino gjatë prezantimit.
Presidenti Trump u bëri thirrje të gjithë udhëtarëve që planifikojnë të marrin pjesë në kompeticion që të aplikojnë për vizë “sa më shpejt të jetë e mundur”. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se administrata ka shtuar mbi 400 oficerë konsullorë nëpër botë për të përballuar fluksin e kërkesave. Sipas tij, në rreth 80% të vendeve, aplikantët mund të sigurojnë një takim për vizë brenda 60 ditëve.
Sistemi i ri “Portal i FIFA-s” do t’u mundësojë mbajtësve të biletave që të përfitojnë nga procedurat e përshpejtuara për aplikimin për vizë dhe intervistën në Departamentin e Shtetit. “Kontrollet e sigurisë do të mbeten të pandryshuara”, theksoi Rubio. “E vetmja risi është se aplikantët e lidhur me Kupën e Botës do të vendosen më lart në listën e pritjes”, përfundoi Rubio.
Top Channel