Humbja e rëndë e pësuar nga Norvegjia dënoi Italinë që të luajë edhe një herë në playoff për të siguruar një vend për në Botërorin e vitit të ardhshëm. Një fat ky që praktikisht u paracaktua që në sfidën e parë ndaj skuadrës skandinave në Oslo e fituar nga kjo e fundit, por që u vulos përfundimisht në mbrëmjen e së dielës pas suksesit 4-1 të Haaland me shokë.

Stadiumi që konsiderohet si La Scala e futbollit italian, ‘Giuseppe Meazza’, në fakt po rezulton teatri i faqeve më të errëta të historisë së kombëtares italiane. Përqindja e fitoreve të Italisë në San Siro në 20 vitet e fundit është për të ardhur vërtet keq; vetëm 3 fitore, në 13 ndeshje të zhvilluara, ose thënë ndryshe 23%. Sfidat e fituara në San Siro nga Italia janë ajo me Danimarkën në 2012, me Anglinë në 2022 dhe Ukrainën në 2023.

Një bilanc që duhet të sjellë edhe një reflektim; është e vërtetë që shpesh San Siro është skena e mbrëmjeve gala me kundërshtarë prestigji si Franca, Gjermania apo Spanja, por nga Milano janë larguar pa dëme edhe skuadra më modeste; është e pamundur të harrohet barazimi 0-0 me Suedinë në 2017 që ndëshkoi Italinë me përjashtim nga Botërori 2018.

Edhe këtë radhë, kualifikimi për në Botërorin e SHBA, Kanadasë e Meksikës për Italinë është në dilemë. Norvegjia e mbylli grupin kualifikues me vetëm fitore duke e merituar totalisht vendin e parë. Dhe fakti që Italia ra në një grup me Haaland dhe shokë ishte rezultat i një humbje tjetër në San Siro, ajo ndaj Gjermanisë në muajin mars në Nations League.

Tani Italia gjendet sërish përballë detyrës për të luajtur në playoff për një vend në botërorin 2026; 2 ndeshje unike që do të vendosin fatin e Të Kaltërve. Kundërshtarët janë akoma për t’u përcaktuar, por është e sigurt se Italia do të luajë gjysmëfinalen në shtëpi; San Siro është një prej impianteve kandidate për të pritur këtë ndeshje së bashku me Olimpico dhe Allianz Stadium. Duke parë precedentët, mund të jetë ide e mirë zgjedhja e një stadiumi të ndryshëm nga ai i Milanos. Në fund të fundit në momente të tilla edhe të kapesh pas supersticiozitetit mund të ndihmojë Italinë në çlirimin nga presionet dhe frika e mundësisë për të dështuar për të tretën herë radhazi në kualifikimin për në Botërorin

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta