Fluturimi misterioz i 153 palestinezëve në Afrikën e Jugut ngre akuza për plan të fshehtë zhvendosjeje nga Gaza

17/11/2025 22:14

Afrika e Jugut nuk do të pranojë më fluturime çharter me palestinezë, disa ditë pasi mbërritja e 153 pasagjerëve nga Gaza shkaktoi trazira në vend.

Fluturimi i së enjtes, për të cilin mbeten shumë pyetje pa përgjigje, ishte pjesë e “një plani të qartë për të larguar palestinezët nga Gaza dhe Bregu Perëndimor”, tha të hënën Ministri i Jashtëm Ronald Lamola.
Autoritetet izraelite nuk i janë përgjigjur akuzës, raporton BBC. Megjithatë, ajo shton se Izraeli pretendoi se Afrika e Jugut kishte rënë dakord më parë të pranonte 153 palestinezët. Nga ana tjetër, ambasada palestineze në Afrikën e Jugut ka deklaruar se grupi u largua nga aeroporti Ramon i Izraelit dhe mbërriti në Afrikën e Jugut nëpërmjet Nairobit, “pa asnjë njoftim paraprak ose koordinim”.

Ambasada palestineze tha gjithashtu se “një organizatë e paregjistruar dhe mashtruese” shfrytëzoi situatën e vështirë të banorëve të Gazës, “mashtroi familjet, mblodhi para prej tyre dhe lehtësoi udhëtimin e tyre në një mënyrë të paligjshme dhe të papërgjegjshme”. Lamola tha në një deklaratë se fluturimi dukej të ishte pjesë e një “plani më të gjerë për të larguar palestinezët nga Palestina në shumë pjesë të ndryshme të botës”. Dhe nuk është vetëm Afrika e Jugut, edhe vende të tjera janë goditur nga këto fluturime të çuditshme, megjithëse ai nuk dha detaje të mëtejshme.

Fluturimi në fjalë mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Johanesburgut të enjten. Fillimisht, Afrika e Jugut u refuzoi pasagjerëve hyrjen në vend, kështu që ata qëndruan në aeroplan për më shumë se 10 orë. Megjithatë, grupi u zbrit më vonë pasi ndërhyri një organizatë bamirëse. Nga pasagjerët, 23 kishin fluturuar tashmë për në destinacione të tjera, kështu që 130 prej tyre u lejuan të hynin në vend, “nga dhembshuria”, siç tha Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.
Kujtohet se Afrika e Jugut e mbështeti fuqimisht Palestinën gjatë luftës në Gaza midis Izraelit dhe Hamasit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta