Mbrojtësi i Chelseat, Trevoh Chalobah, dhe portieri i Manchester City-t, James Trafford, janë thirrur nga përfaqësuesja e Anglisë për të zëvendësuar Anthony Gordon dhe Nick Pope, të cilët janë tërhequr për shkak dëmtimesh dhe një goditjeje në kokë.

Federata Angleze e Futbollit konfirmoi thirrjet e reja të martën, duke theksuar se të dy lojtarët do t’i bashkohen ekipit të trajnerit Thomas Tuchel për ndeshjet e fundit kualifikuese të Kupës së Botës 2026 kundër Serbisë dhe Shqipërisë.

Në deklaratën zyrtare u theksua: “Trevoh Chalobah i Chelseat dhe James Trafford i Manchester City janë shtuar në listën e kombëtares. Kjo pas tërheqjes së Anthony Gordon dhe Nick Pope nga Newcastle United, për shkak të dëmtimit dhe tronditjes nga goditja.”

Ndërkohë, mbrojtësi Marc Guehi do të vazhdojë të monitorohet, pasi u dëmtua në këmbë gjatë ndeshjes kundër AZ Alkmaar.

Tuchel i dha Chalobah debutimin te Chelsea në vitin 2021, kur ekipi fitoi Champions League, dhe më vonë edhe debutimin me Anglinë në humbjen ndaj Senegalit këtë vit. Pas asaj ndeshjeje, 26-vjeçari nuk ishte thirrur në dy grumbullimet e fundit, por këtë sezon ka qenë titullar i rregullt në Premier League në mungesë të Levi Colwill.

Edhe pse paraqitjet e tij kanë marrë reagime të ndryshme, Chalobah ka luajtur 10 nga 11 ndeshjet e Chelseat këtë sezon dhe ka shënuar dy gola, por është kritikuar për ndëshkimin e kuq kundër Brighton, që çoi në humbje 3-1.

Tuchel, i cili shpesh është parë në Stamford Bridge duke ndjekur ambjentet e ish-klubit të tij, duket se është bindur nga forma e tij e fundit. Në deklarata të mëparshme, ai ka thënë se Chalobah ishte “i pafat” që u la jashtë listës në shtator.

Kombëtarja angleze i nis ndeshjet ndaj Serbisë dhe Shqipërisë pa presion, pasi ka siguruar kualifikimin për Botërorin 2026. Skuadra e Tuchel ka fituar të gjashtë ndeshjet e grupit, pa pësuar asnjë gol dhe me 18 gola të shënuar.

Chalobah dhe Trafford pritet të jenë alternativa të rëndësishme për trajnerin në dy sfidat e fundit kualifikuese.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta