Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme, analiza nga DW: Si po reagojnë vendet ndaj krizës energjetike botërore?
Mbretëria e Bashkuar ka pezulluar shkëmbimin e informacionit të inteligjencës me Shtetet e Bashkuara lidhur me anijet e dyshuara për trafik droge në Karaibe, për shkak të shqetësimeve se të dhënat britanike mund të përdoren për sulme ushtarake që konsiderohen të paligjshme.
Sipas CNN, Londra është alarmuar nga fillimi i sulmeve vdekjeprurëse të ushtrisë amerikane ndaj këtyre anijeve, të cilat kanë shkaktuar të paktën 76 viktima që nga shtatori.
Për shumë vite, Mbretëria e Bashkuar ka bashkëpunuar ngushtë me SHBA-në dhe Rojën Bregdetare për identifikimin dhe ndalimin e anijeve të dyshuara, ku ekuipazhi arrestohej dhe droga sekuestrohej. Por pas ndryshimit të taktikës amerikane drejt përdorimit të forcës vdekjeprurëse, zyrtarët britanikë e konsiderojnë këtë praktikë si shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe si vrasje jashtëgjyqësore, një vlerësim që e ka mbështetur edhe Komisioneri i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk.
Administrata amerikane e justifikon fushatën duke e trajtuar luftën kundër karteleve si një konflikt të armatosur dhe duke i cilësuar trafikantët si “luftëtarë armiq”. Megjithatë, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare dhe avokatë brenda vetë Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së kanë shprehur dyshime serioze për ligjshmërinë e këtyre operacioneve.
Edhe Kanadaja, një tjetër aleat kyç në patrullimet kundër trafikut të drogës në Karaibe, ka sqaruar se nuk dëshiron që inteligjenca e saj të përdoret për sulme vdekjeprurëse, ndonëse do të vazhdojë bashkëpunimin me Rojën Bregdetare të SHBA-së në operacionet e zakonshme të ndalimit dhe kontrollit.
As Shtëpia e Bardhë, Pentagoni dhe Ambasada Britanike në Uashington nuk kanë komentuar deri tani për situatën.
Top Channel