Sabalenka harron shpejt finalen e humbur: Po iki në Maldive të pi tekila dhe të analizojë gabimet që bëra…
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) pritet të miratojë nga viti i ardhshëm një rregullore që do të ndalojë gratë transgjinore të marrin pjesë në të gjitha disiplinat femërore të Lojërave Olimpike, raportoi The Times.
Vendimi vjen pas një hetimi shkencor të nisur nga IOC vitin e kaluar, pas debateve që shpërthyen në Paris 2024 rreth boksierëve Imane Khelif nga Algjeria dhe Lin Yu-ting të Kinës Taipei.
Sipas raportimeve, anëtarëve të IOC-së u është prezantuar një material nga drejtoresha mjekësore dhe shkencore, Dr. Jane Thornton, ish-vajtuese olimpike nga Kanadaja. Prezantimi përfshinte kërkime që sugjeronin se “avantazhet fizike të të qenët i lindur mashkull mbeten tek sportistët”, edhe pas trajtimeve për uljen e testosteronit.
Deri tani, politikat e IOC lejonin pjesëmarrjen e grave transgjinore nëse ato mbanin nivele të reduktuara të testosteronit sipas rregullave të federatave përkatëse. Por disa sporte, si atletika nën drejtimin e Sebastian Coe, kanë ashpërsuar tashmë kriteret e pranimit.
Presidentja e re e IOC, ish-notarja nga Zimbabve Kirsty Coventry, pritet të zbatojë qasjen e re duke filluar nga Lojërat Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026. Pas zgjedhjes në qershor, Coventry u zotua të “mbrojë kategorinë femërore” dhe ngriti një grup pune me shkencëtarë dhe federata ndërkombëtare për të hartuar një politikë të re.
Rishikimi përfshiu studime edhe mbi sportiste me dallime në zhvillimin seksual (DSD), siç është rasti i boksieres Khelif, 26 vjeçe, e cila ka deklaruar se është lindur dhe rritur si vajzë. Personat me DSD kanë karakteristika biologjike të të dy gjinive.
Pavarësisht raportimeve, IOC i tha BBC-së se diskutimet e grupit të punës “vazhdojnë” dhe se “ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar”.
Coventry ka theksuar se çdo rregull i ri do të zbatohet vetëm për garat e ardhshme dhe nuk do të ketë ndryshime retrospektive në rezultatet e Lojërave të kaluara.
Top Channel