Granit Xhaka shtang Premier League, kalon 100 km vrapim në 9 ndeshjet e zhvilluara deri më tani
Mesfushori brazilian i West Ham, Lucas Paqueta, është shpallur fajtor për dy shkelje të rregullave të Federatës Angleze të Futbollit (FA), por ka shmangur një gjobë të rëndë.
FA ka bërë të ditur se lojtari është sanksionuar për mosbashkëpunim gjatë hetimeve, pasi kishte dështuar të përgjigjej në pyetje dhe të siguronte informacionin e kërkuar.
Pas një seance dëgjimore, një komision i pavarur rregullator konstatoi se të dy shkeljet e nenit F3 të rregullores së FA-së ishin të provuara.
Paqueta, megjithëse i kishte mohuar akuzat, është ndëshkuar me një vërejtje zyrtare dhe paralajmërim për sjelljen e ardhshme, pa u gjobitur financiarisht. Ai do të paguajë vetëm 10% të shpenzimeve të procesit, ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga FA.
Në vendim janë marrë parasysh disa faktorë lehtësues, përfshirë bashkëpunimin e mëvonshëm të lojtarit, dorëzimin e pajisjeve të tij celulare dhe dhënien e një dëshmie që shpjegonte marrëdhëniet me personat e përfshirë në bastet sportive.
Paqueta kishte shpëtuar më herët nga një ndalim i përjetshëm për akuzat e manipulimit të ndeshjeve, pasi komisioni rregullator i pavarur i kishte shpallur ato të paprovuara.
Avokati i tij, Alastair Campbell, tha pas vendimit: “Ky është fundi i një periudhe shumë të vështirë për Lucas-in. Për dy vite kemi punuar për të pastruar emrin e tij dhe jemi të lumtur që drejtësia më në fund u vu në vend. Ai ka vuajtur shumë duke menduar se karriera e tij mund të mbaronte për diçka që nuk e kishte bërë.”
Ndërkohë, Paqueta ka pasur një fillim të ngadaltë sezoni me West Ham, që aktualisht ndodhet në zonën e rrezikut për rënie nga Premier League. Mesfushori 28-vjeçar raportohet se dëshiron të largohet nga klubi gjatë merkatos së janarit, ndërsa “Çekanët” janë të gatshëm ta shesin nëse mbërrin një ofertë rreth 60 milionë paund.
Top Channel