Të dielën afati i fundit për formimin e qeverisë, presidentja Osmani: Nëse s’ka zgjidhje, do t’i ftoj partitë për… Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje ka thirrur seancën për formimin e qeverisë.
Seanca është caktuar për 26 tetor, të dielën në orën 10:00, ku pritet që i mandatuari për formimin e qeverisë, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje të propozojë para Kuvendit programin dhe përbërjen e qeverisë së re.
Deri më tani, Kurti nuk i ka 61 vota për t’u zgjedhur kryeministër edhe për një mandat tjetër.
Nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka 48 deputetë, ndërkohë që ka edhe tetë deputetë të minoriteteve që e përkrahin duke e çuar vetëm deri në 56 vota, të pamjaftueshme për formim të qeverisë.
Në rast se Kurti dështon të dielën, një shumicë e dytë parlamentare ka dhjetë ditë kohë për të formuar qeverinë, nëse edhe kjo dështon, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Për shkak të bllokadës, vendi ka mbetur me ekzekutiv në detyrë e pa kuvend funksional për gati një vit, duke rrezikuar edhe funksionalizimin e vetë shtetit.
Për shkak të kufizimeve, qeveria në detyrë nuk guxon të nxjerrë ligjin për buxhetin për vitin e ardhshëm.
E nëse vendi nuk formon qeverinë brenda vitit atëherë shteti mund të funksionojë vetëm në dy muajt e parë të vitit të ardhshëm me 1/12 e buxhetit.
“Nëse nuk kemi Kuvend dhe qeveri të formuar, atëherë në mars të vitit të ardhshëm nuk mund të kryhet asnjë pagesë, nga asnjë institucion, do të thotë se pagat nuk mund të dalin në sektorin publik, nuk mund të kryhen shërbime për qytetarët, nuk mund të shpenzohet asnjë cent nga buxheti i republikës së Kosovës”, u shpreh Ehat Miftari – Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Krahas kësaj, shumë institucione të pavarura, bordi i të cilave zgjidhet përmes Kuvendit po rrezikojnë funksionalizimin si pasojë e kësaj bllokade.
Ndërkohë, Kosova mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka përfituar nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian e janë në rrezik edhe përfitimet e të tjera financiare nga marrëveshjet ndërkombëtare që shkojnë mbi një miliard euro.
“Këto fonde janë me afat skadence, që nënkupton që në vitin 2024-2025 po dështojmë me i ratifiku këto marrëveshje është mëse e qartë që Kosova nuk do jetë në gjendje t’i marrë këto 882 milionë euro”.
Në mungesë të numrave dhe vullnetit të partive politike për koalicione, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Top Channel