Dosja e parë e korrupsionit zgjedhor në 11 maj u mbyll nga SPAK me të pandehur kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njofton në përfundim të hetimeve se ka dërguar për gjykim Kristian Shkrelin.

Socialisti akuzohet se ka ushtruar korrupsion aktiv në zgjedhje për PSD-në. SPAK zbulon se duke ndjekur metoda speciale hetimore përmes përgjimeve të bisedave telefonike dhe vëzhgimeve ka rezultuar se Shkreli është përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare para 6 muajve.

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më datë 23.10.2025 ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimit penal nr. 49/1, të vitit 2025 (i ndarë nga procedimi penal nr. 49 i vitit 2025), në ngarkim të të pandehurit Kristian Shkreli, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale hetimore, (përgjimet e bisedave telefonike, vëzhgimet, si edhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore), në kuadër të procedimit penal nr. 49 të vitit 2025, ka rezultuar se i pandehuri Kristian Shkreli, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në zgjedhjet e zhvilluara më datë 11 maj 2025, për Kuvendin e Shqipërisë.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kristian Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.

Gjatë hetimit është evidentuar se i pandehuri ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e plotë të SPAK.

Për të mbështetur subjektin politik, hetimet kanë nxjerr në pah se i pandehuri ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore duke kryer investime gjatë kësaj periudhe për ndërtimin e rrjetit elektrik në fshatin Stajkë.

Sipas SPAK dyshohet se Kristian Shkreli u ka kërkuar votën banorëve të Vaut të Dejës, duke shfrytëzuar nevojat e tyre.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta