
Një oficer policie është plagosur pas një nate të trazuar protestash jashtë Hotel Citywest në Dublin, ku pati dhunë dhe shkatërrim.
Gjatë protestës disa persona kanë përdorur fishekzjarre dhe sende të forta, ndërsa një furgon policie mori flakë. Një anëtare e gardës mbeti e plagosur dhe u dërgua në spital. Sipas raportimeve të mediave, ajo ndodhet jashtë rrezikut.
Për ngjarjen, pesë burra të moshës nga 40 deri në 50 vjeç janë akuzuar për shkelje të rendit publik dhe do të paraqiten përpara gjykatës këtë të mërkurë.
Komisioneri i Gardës, Justin Kelly, theksoi se dhuna e përdorur gjatë protestave nuk mund të justifikohej dhe se do të fillonte procesin e identifikimit të personave që kryen krime për t’i nxjerrë ata para drejtësisë.
Kryeministri i Irlandës, Micheál Martin, dhe Zëvendëskryeministri, Simon Harris, dënuan aktet e dhunës dhe theksuan se nuk ka asnjë justifikim për sulmet ndaj oficerëve të policisë që ishin në vijën e parë të protestave.
“Sulmet ndaj oficerëve të Gardës janë të papranueshme dhe do të kenë një reagim të fuqishëm nga forcat e rendit”, tha Ministri i Drejtësisë, Jim O’Callaghan.
Ai shtoi se ata që janë përfshirë në aktet e dhunshme, do të përballen me drejtësinë.
Top Channel