“Vajza e askujt”/ Rrëfehet Virginia Giuffre, e cila u përdor si skllave seksi nga Epstein

21/10/2025 19:46

Në Britani dhe SHBA ka shpërthyer një tjetër valë tronditjeje pas publikimit të kujtimeve të Virginia Giuffre, një nga akuzueset kryesore të Jeffrey Epstein, e cila ka pretenduar se u detyrua të kryente marrëdhënie seksuale me Princin Andrew, vëllain e Mbretit Charles III.

Libri, i titulluar “Nobody’s Girl”, u publikua pas vdekjes së Giuffre në prill, në moshën 41-vjeçare.

Sipas BBC, bashkëautorja Amy Wallace tha se Giuffre do ta konsideronte “një fitore” faktin që Andrew u detyrua të heqë dorë nga titulli dhe nderimet mbretërore, pas presionit nga mbreti Charles.

Në kujtime, Giuffre përshkruan tre takime seksuale me princin, një prej të cilave si orgji me pjesëmarrjen e Epstein, Andrew dhe tetë vajzave të tjera të reja.

Princ Andrew, ka mohuar çdo faj, por në vitin 2022 pranoi të paguajë miliona dollarë për të mbyllur çështjen civile të ngacmimit seksual ndaj saj.  Në SHBA, publikimi i librit ka ringjallur skandalin Epstein, duke përfshirë edhe emrin e Donald Trump, mik i dikurshëm i financierit.

Giuffre shkruan se ishte rekrutuar në moshën 17-vjeçare në resortin Mar-a-Lago, ku punonte, dhe se ndiente frikë se “do të vdiste si skllave seksi”.

Epstein, i cili priste gjyqin për trafik seksual, u vetëvra në burg në vitin 2019, ndërsa bashkëpunëtorja e tij Ghislaine Maxwell u dënua në 2022 për abuzim të vajzave të mitura. Kujtimet e Giuffre-s po rrisin presionin ndaj Princit Andrew dhe po rikthejnë në qendër të vëmendjes një nga skandalet më të errëta të elitës perëndimore.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta