
Nicolas Sarkozy u bë ish-presidenti i parë i Francës që përfundon prapa hekurave, teksa nisi sot dënimin e tij pesë vjeçar me heqje lirie pas shpalljes fajtor për tentativat e financimit të fushatës së tij zgjedhore me paratë e ish-diktatorit libjan, Muammar Gaddafi.
Franca nuk ishte përballur me një situatë të tillë që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore, kur ish udhëheqësi i saj Philippe Pétain, i konsideruar kolaboracionist i nazistëve, u përball me akuzat për tradhti kombëtare.
Sarkozy, që ishte shefi i Elizesë nga vitit 2007 deri në 2012, ka apeluar ndaj dënimit të tij me burg të cilin duhet ta kalojë në La Sante në një qeli prej 9 metrash katrorë.
Më shumë se 100 persona janë parë duke qëndruar para burgut, pasi djali i tij, Louis, 28-vjeçar, u ka bërë thirrje mbështetësve që të tregojnë përkrahje, shkruan BBC. Sarkozy vazhdimisht ka pretenduar pafajësinë ndaj akuzave që rëndojnë mbi të.
Edhe pse e ka bërë të qartë se nuk dëshiron trajtim special në burgun La Sante, autoritetet e kanë ndarë në një qeli të veçantë, duke cituar arsyet e sigurisë. Brenda qelisë, ish-presidenti 70-vjeçar do të ketë banjon, zonën për dush dhe një televizor të vogël. Përgjatë ditës, atij do t’i lejohen ushtrime brenda një ore në ambiente të jashtme.
“Nuk jam i frikësuar nga burgjet. Do ta mbaj kokën lart edhe në ambientet e burgut”, tha ai përpara nisjes së dënimit, ndërsa theksoi mes të tjerash se ka marrë me vete dy libra, njërin për jetën e Krishtit dhe tjetrin për Kontin e Monte Kristos, e cila ka të bëjë me jetën e një burri të burgosur pa të drejtë, i cili arratiset për t’u hakmarrë ndaj atyre që i ngritën një kurth.
Top Channel