“Pyeti vajzat e tua”/ Merz përballet me kritika të ashpra pas deklaratës së tij për emigrantët e paligjshëm

21/10/2025 11:50

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, është përballur me kritika të ashpra për komentet e tij mbi emigracionin, pasi bëri thirrje për “dëbime masive” dhe deklaroi se “çdo prind që ka vajza” do ta mbështeste qëndrimin e tij.

Merz, i cili mori detyrën në maj me premtimin për të frenuar rritjen e partisë së ekstremit të djathtë AFD, të hënën kritikoi një gazetar që e pyeti nëse kishte ndër mend të tërhiqej nga komentet e forta të bëra më parë mbi emigracionin ose të kërkonte falje për to, pas reagimeve të shumta negative.

“Nuk e di nëse ke fëmijë, apo nëse ke vajza,” iu drejtua Merz gazetarit. “Pyeti vajzat e tua, besoj se do të marrësh një përgjigje të fortë dhe të qartë. Nuk kam asgjë për tu tërhequr, përkundrazi, e theksoj, diçka duhet të ndryshojë.”

Opozita e majtë e akuzoi Merz për përdorimin e një retorike të ngjashme me atë të partive ekstremiste, të cilat prej kohësh kanë promovuar narrativën se migrantët janë kërcënim për gratë dhe vajzat, një temë që është kthyer në pikë grumbullimi për ekstremistët në gjithë botën.

Ricarda Lang, deputete e njohur nga radhët e të Gjelbërve, tha se Merz po përdorte një qasje patronizuese ndaj grave të reja dhe injoronte shqetësimet reale të tyre.

“‘Vajzat’, ndoshta janë lodhur me faktin që Friedrich Merz kujtohet për të drejtat dhe sigurinë e tyre vetëm kur i duhen për të justifikuar politikat e tij të vjetruara,” shkroi ajo në X.

Merz theksoi se prioriteti i tij ishte “siguria në hapësirat publike”, duke shtuar se vetëm nëse kjo siguri sigurohet, partitë tradicionale do të rikthejnë besimin e qytetarëve.

Deputetja socialdemokrate Natalie Pawlik, nga partia partnere e Merz-it në qeveri, kritikoi qasjen e tij.

“Migracioni nuk duhet të stigmatizohet përmes reagimeve të thjeshta apo populiste, kjo vetëm sa thellon ndarjet në shoqëri dhe ndihmon ata që nuk duhet.”-deklaroi ajo.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta