
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur një komandant të lartë ushtarak dhe një numër të vogël trupash në Izrael, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve ndërkombëtare për të monitoruar armëpushimin në Gaza, pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara.
Lajmi u konfirmua nga Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, John Healey, gjatë një aktiviteti në Londër me drejtues të lartë të biznesit, ku ai tha se forcat britanike mund të luajnë një “rol kyç” në ruajtjen e një paqeje të qëndrueshme.
“Ne kemi përvojë dhe aftësi të specializuara që i kemi ofruar për të kontribuar në këtë mision,” tha Healey. “Mund të ndihmojmë në monitorimin e armëpushimit, megjithëse kjo përpjekje ka të ngjarë të udhëhiqet nga palë të tjera.”
Oficeri britanik i vendosur në terren do të shërbejë si zëvendëskomandant i një qendre koordinimi civilo-ushtarake, e cila udhëhiqet nga një komandant amerikan. Kjo qendër pritet të përfshijë gjithashtu personel nga Egjipti, Katari, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në një përpjekje të përbashkët për të mbështetur marrëveshjen e brishtë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
Marrëveshja aktuale e armëpushimit është ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump dhe shihet nga diplomatët perëndimorë si një mundësi për të vendosur një paqe të qëndrueshme në rajon pas muajsh të tëra konfliktesh.
Vendimi për të dërguar trupa britanike vjen vetëm një javë pasi sekretarja e re e Jashtme, Yvette Cooper, kishte deklaruar se Britania nuk kishte plane për të përfshirë forca tokësore në këtë operacion.
Top Channel