
Vetëm 39 ditë pasi mori drejtimin e skuadrës, Ange Postecoglou është shkarkuar nga posti i trajnerit të Nottingham Forest, duke vendosur një rekord si trajneri me mandatin më të shkurtër në historinë e Premier League për një emërim të përhershëm.
Shkarkimi i australianit u bë publik vetëm 19 minuta pas humbjes 3-0 ndaj Chelseat, të shtunën në “City Ground”.
Sipas TNT Sports, Postecoglou u njoftua për largimin në tunelin e stadiumit, menjëherë pasi kishte përfunduar takimi. Ai hyri në dhomat e zhveshjes për t’u adresuar ndaj lojtarëve dhe më pas u largua nga ana tjetër e tunelit, me një çantë në dorë, drejt parkingut, ku u pa i buzëqeshur me një tifoz – ndonëse sapo ishte shkarkuar.
Sipas BBC, vendimi i klubit ishte marrë dhe komunikuar me trajnerin para se ai të fliste me lojtarët. Morgan Gibbs-White, në një deklaratë për TNT Sports pak para se lajmi të bëhej publik, zbuloi se Postecoglou kishte shprehur zhgënjim për rezultatin, ndonëse kishte vërejtur përmirësime në lojë.
“Ai tha se ishim në rrugën e duhur në aspektin e stilit të lojës, por na mungonte saktësia para portës dhe pësojmë gola të lehtë,” – tha Gibbs-White.
Lojtarët besohej se kishin ende besim të plotë te trajneri për ta përmbysur situatën, por vetëm pak minuta më vonë u thirrën në një takim urgjent me drejtuesit, ku u njoftuan për shkarkimin.
Mediat britanike raportojnë se Nottingham Forest ka nisur kontakte me Roberto Mancinin, ish-trajnerin kampion të Manchester City-t dhe fitues i trefishtë i Serie A me Interin.
Evangelos Marinakis, pronari i Forest, njihet për vendime të shpejta dhe për preferencën ndaj trajnerëve të lirë. Marco Silva (Fulham) dhe Sean Dyche (ish-Everton) janë gjithashtu emra që pëlqehen nga drejtuesit.
Mancini, i cili ka qenë i lirë që pas largimit nga kombëtarja e Arabisë Saudite, mund të emërohet brenda javës dhe të jetë në stol për ndeshjen e Europa League ndaj Portos të enjten.
Me një sezon të trazuar dhe trajnerin e dytë të shkarkuar brenda pak javësh, Forest përballet me sfida serioze për të gjetur stabilitet në pankinë.
Top Channel