Christian Horner mund të rikthehet shpejt në Formula 1, vetëm disa muaj pas largimit të bujshëm nga Red Bull.

Sipas Daily Mail, 51-vjeçari është në bisedime me Ferrarin për të marrë drejtimin e skuadrës më të suksesshme në historinë e sportit.

Horner u shkarkua nga pozita e shefit të Red Bull pas dështimit në Çmimin e Madh të Britanisë në korrik, duke i dhënë fund një epoke 20-vjeçare që solli 14 tituj botërorë: gjashtë në kampionatin e konstruktorëve dhe tetë në kampionatin e pilotëve – katër me Sebastian Vettel dhe katër me Max Verstappen.

Pas largimit, Horner mori një pako dëmshpërblimi prej 80 milionë paundësh, por mesa duket nuk ka ndërmend të qëndrojë gjatë larg paddock-ut të Formula 1.

Në Grand Prix-in e Singaporit, drejtuesi i Aston Martin, Andy Cowell, u shpreh me humor: “Duket sikur Christian po telefonon çdo pronar skuadre këto ditë.”

Tani, mediat britanike raportojnë se Ferrari është destinacioni i mundshëm i radhës për Hornerin. Presidenti i Ferrarit, John Elkann, thuhet se ka humbur besimin tek drejtuesi aktual, Fred Vasseur, pavarësisht se ai ishte arsyeja kryesore pas transferimit të Lewis Hamilton nga Mercedes.

Hamilton ende nuk ka arritur asnjë podium me skuadrën e re, ndërsa Charles Leclerc, megjithëse ka katër podiume këtë sezon, vazhdon të përballet me performanca të paqëndrueshme të makinës.

Ferrari nuk ka fituar një titull kampioni për pilotë që nga viti 2007 me Kimi Raikkonen, ndërsa titulli i fundit i konstruktorëve erdhi në 2008. Suksesi i Hornerit në ndërtimin e një skuadre dominuese si Red Bull e bën atë një emër shumë të kërkuar në një F1 gjithnjë e më konkurruese.

Nëse marrëveshja finalizohet, do të ishte një nga lëvizjet më të bujshme në historinë moderne të sportit motorik.

Top Channel