Tronditet SHBA-ja, sulmi me armë zjarri në Misisipi vret katër persona, plagosen 12 të tjerë

11/10/2025 17:31

Katër persona humbën jetën dhe 12 të tjerë u plagosën, pas një sulmi me armë zjarri që ndodhi rreth mesnatës në qytetin Leland të shtetit amerikan të Misisipit.

Ngjarja tragjike ndodhi në rrugën kryesore të qytetit, sipas kryebashkiakut të Leland-it, John Lee, i cili foli për rrjetin CBS, partner i BBC-së.

Katër nga të plagosurit u transportuan me helikopter drejt spitaleve për ndihmë të specializuar. Autoritetet konfirmuan se deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar.

Leland ishte më i populluar se zakonisht mbrëmjen e së premtes, për shkak të një ndeshjeje futbolli të planifikuar nga shkollat e mesme lokale, si pjesë e festimeve tradicionale të “kthimit në shtëpi”, një ngjarje vjetore që bashkon ish-nxënësit me komunitetin në një atmosferë festive.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të zbuluar motivin dhe autorin e ngjarjes.

Top Channel