“Mos u merr me mua se…”/ Publikoi video në Tik Tok duke kërcënuar Nigel Farage, gjykata shpall fajtor afganin

11/10/2025 16:48

Një emigrant afgan i ardhur me gomone në Britani vitin e kaluar, është shpallur fajtor nga një gjykatë në Londër, pasi në një video në Tik Tok ai tha se do të vriste Nigel Farage, babain e Brexit, udhëheqës i partisë Reforma, e cila gëzon një mbështetje më të madhe se qeveria në sondazhet e opinionit publik.

Emigranti afgan i cili ka një tatuazh në faqe të një kallashnikovi, thotë se nuk kishte ndërmend të kryente aktin. Ai do dënohet të martën edhe pse kërkohet për vepra të tjera penale në Suedi, ku ka jetuar për gjashtë vjet. Njofton nga Londra korrespondenti i Top Channel, Arben Manaj.

Gjykata britanike ka shpallur fajtor afganin Fayaz Khan i cili në TIK-TOK, njihet me emrin Mada Pasa me një tatuazh me kallashnikov në mollëz, pasi kërcënoj se do vriste kryetarin e partisë Reforma në Britani, Nigel Farage, në një postim në muajin tetor.

Ky postim në video ishte si kundërpërgjigje ndaj një video të Farage ku detajonte udhëtimin nëpër La Mansh të emigrantit afgan me gomone. Kahn i thoshte Farage “mos u merr me mua, se do vij në Angli të martohem me motrën tënde dhe ti nuk më njeh mua”.

Videoja në Tik Tok sipas Farage ishte e frikshme dhe djallëzore, edhe pse emigranti afgan theksoi se ai s’kishte qëllim të lëndonte babain e Brexit. Në momentin e videos emigranti afgan ndodhej në Francë, pasi më parë kishte jetuar gjashtë vjet në Suedi dhe me të mbërritur tetorin e kaluar në Angli, ai u arrestua nga policia.

Juria prej 12 anëtarësh e shpalli fajtor Kahn me dhjetë vota pro dhe dy kundër tij, dhe ai pritet të marrë dënimin ditën e martë për kërcënim për vrasje dhe hyrjen ilegalisht në Britani.

Po ashtu mësohet se emigranti afgan është paditur për një akuzë për krim me thikë në Suedi si edhe për një akuzë për pornografi me të mitur dhe pritet të përballet me drejtësinë në Suedi në muajin dhjetor.

Nigel Farage njihet për gjuhën e tij toksike për disa dhe realiste për disa të tjerë, dhe mjaft të ashpër kundër emigrantëve të huaj që vijnë në Britani, mes tyre edhe ndaj shqiptarëve, andaj është ftuar nga Kryeministri Rama në Shqipëri dhe ende nuk po vjen, edhe pse ka filluar vjeshta.

Ndaj Farage në të shkuarën ka pasur edhe sulme fizike ndaj tij, si gjatë fushatave elektorale, ku i është hedhur qumësht në fytyrë nga votues britanik gjate aktiviteteve elektorale.

 

Top Channel