
Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, po i nënshtrohet terapive me rrezatim dhe trajtimit hormonal pas diagnozës me një formë agresive të kancerit të prostatës që iu zbulua në maj të këtij viti.
Zëdhënësi i tij konfirmoi të shtunën se 82-vjeçari ka nisur tashmë trajtimin, i cili përfshin terapi me rrezatim dhe ilaçe hormonale që po i merr në kushte shtëpie.
“Si pjesë e planit të trajtimit për kancerin e prostatës, ish-Presidenti Biden aktualisht po kalon terapi me rrezatim dhe trajtim hormonal,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Trajtimi me rrezatim pritet të zgjasë pesë javë, ndërsa medikamentet hormonale në formë pilule kanë nisur më herët. Zëdhënësi theksoi gjithashtu se Biden është “duke u ndjerë mirë”.
Në maj, Biden kishte njoftuar se kanceri ishte përhapur në kocka – një fazë e avancuar që e bën më të vështirë trajtimin. Sipas mjekëve të tij, kanceri kishte një Gleason score prej 9 (Grupi 5), që tregon për qeliza shumë agresive dhe rritje të shpejtë të tumorit.
Megjithatë, ata shtuan se forma e kancerit duket të jetë e ndjeshme ndaj hormoneve, gjë që krijon mundësi për menaxhim efektiv të sëmundjes përmes trajtimeve që bllokojnë prodhimin e hormoneve që e ushqejnë atë.
Biden iu nënshtrua ekzaminimeve pas raportimit të simptomave urinare, nga ku mjekët zbuluan një nodul në prostatë. Diagnoza u pasua nga vlerësime të shumta dhe diskutime për alternativat më të mira të trajtimit.
Në muajin gusht, ai u pa me një shenjë operacioni në pjesën anësore të kokës, e cila më vonë u konfirmua se ishte rezultat i trajtimit për një formë të kancerit të lëkurës. Zëdhënësja e tij tha se ai kishte kryer ndërhyrje kirurgjikale të quajtur Mohs surgery, një procedurë e zakonshme për heqjen e lezioneve kancerogjene në lëkurë.
Gjatë presidencës së tij në vitin 2022, Biden kishte hequr disa forma jo-melanomë të kancerit të lëkurës, dhe një vit më vonë u hoq edhe një lezion kancerogjen nga gjoksi. Sipas mjekut të atëhershëm të Shtëpisë së Bardhë, Kevin O’Connor, të gjitha indet kancerogjene u hoqën me sukses dhe nuk u kërkua trajtim shtesë.
Biden, i cili që prej përfundimit të mandatit ka qenë relativisht larg vëmendjes publike, falënderoi mbështetësit për mesazhet e tyre pas diagnozës.
“Kanceri na prek të gjithëve. Si shumë prej jush, Jill dhe unë kemi mësuar se jemi më të fortë në vendet e thyera,” shkroi ai në maj në platformën X, bashkë me një foto të tij dhe Jill përkrah maces së tyre.
Familja Biden ka qenë prej kohësh e hapur për sfidat me kancerin, pasi disa anëtarë të saj, përfshirë ish-Zonjën e Parë Jill Biden, janë përballur me diagnoza të ngjashme ndër vite.
Top Channel