Kualifikueset Botërori 2026/ Gjermania dhe Franca nuk gabojnë, Xhaka i bën “nder” Kosovës, Maqedonia e Veriut ndal Belgjikën (Rezultatet)

10/10/2025 22:46

Gola dhe surpriza ndodhën këtë mbrëmje në Kualifikueset e Botërorit 2026, ku ekipe “Big” zbritën në fushë.

Vëmendja ishte te Gjermania në Grupin A, me “Panzerat” që nuk kanë kaluar momente të mira kohët e fundit. Gjithsesi, të besuarit e Nagelsmann nuk gabuan kundër Luksemburgut, duke triumfuar me rezultatin 4-0 dhe duke marrë kreun e grupit. Në duelin tjetër, Irlanda e Veriut mundi 2-0 Sllovakinë, duke u ngjitur e dyta.

Në Grupin B, Zvicra vijon me rrugën e fitoreve. Një penallti e shënuar në gol nga ana e Granit Xhakës dhe goli i Manzambi në fund, i dhanë tri pikët e radhës “helvetëve” në transfertën e Suedisë, një fitore që i bën nder edhe Kosovës në vendin e dytë.

Në rrugën e fitoreve vijon dhe Franca, që kryeson me pikë të plota Grupin D. Mbappe, Rabiot dhe Thauvin ishin protagonistët e “Gjelave” në fitoren 3-0 kundër Azerbajxhanit, me të besuarit e Deschamps që ecin të sigurt drejt Botërorit.

Spektakli ishte garantuar për takimin tjetër të këtij grupi, me Ukrainën që mundi në transfertë Islandën me rezultatin 3-5.

Surpriza më e madhe erdhi nga Grupi J, me Maqedoninë e Veriut që ende nuk njeh asnjë humbje. Ekipi i drejtuar nga trajneri Milevski mori një barazim të rëndësishëm kundër Belgjikës në Gent, duke udhëhequr kështu grupin me 12 pikë dhe duke u bërë një pretendent për kualifikimin në Botëror.

Në takimin tjetër të kësaj sfidë, e cila u luajt në orën 16:00, Kazakistani mundi Lihtenshteinin me rezultatin 4-0.

REZULTATET:

GRUPI A

Gjermani 4-0 Luksemburg

Irlandë e Veriut 2-0 Sllovaki

GRUPI B

Suedi 0-2 Zvicër

Kosovë 0-0 Slloveni

GRUPI D

Francë 3-0 Azerbajxhan

Islandë 3-5 Ukrainë

GRUPI J

Belgjikë 0-0 Maqedoni e Veriut

Kazakistan 4-0 Lihtenshtein

Top Channel