Vrasja e Astrit Kalasë/ Apeli i Gerd Hoxhës: Kërkohet ndërhyrje urgjente për sigurinë dhe kushtet e punës së gjyqtarëve

09/10/2025 11:57

Sot u zhvilluar mbledhja e gjyqtarëve, e cila u thirr pas vrasjes së Astrit Kalasë në Gjykatën e Apelit tre ditë më parë.

Gjyqtari Gerd Hoxha në mbledhjen e gjyqtarëve tha se vrasja e Astrit Kalasë ka treguar se për gjyqtarët nuk mjafton vetëm puna ligjore, por duhet edhe sigurim fizik, teksa bëri thirrje p¥r ndërhyrje urgjente për sigurinë dhe punën e tyre.

Ai theksoi mungesën e kushteve të përshtatshme të punës dhe ambientet e papërshtatshme si probleme që ndikojnë në efektivitetin e sistemit gjyqësor.

Hoxha tha se urrejtja ndaj drejtësisë është ushqyer prej kohësh nga diskursi publik dhe bëri thirrje që institucionet dhe media të mos nxisin sulme verbale, por të kontribuojnë në rindërtimin e besimit në sistem.

Fjala e plotë e Gerd Hoxhës:

Kam folur në biseda e takime formale e joformale, ku kemi qenë mbledhur së bashku, për të diskutuar të nxitur nga shumë probleme që na shqetësojnë, si: ngarkesa në punë e shtuar në mënyrë të palogjikshme nga një proces vetingu i paqartë e rraskapitës; trajtimi i papërshtatshëm financiar; mungesa e paarsyeshme e burimeve njerëzore; mungesa ulëritëse e ambienteve të përshtatshme të punës; mungesa frikshme e sigurisë për ne, familjet e pronat tona. Por, kurrë, kurrë nuk e kisha menduar që do të mblidheshim për të diskutuar se si do të mbrohemi nga rreziku i vrasjes në vendin e punës, aty ku mendohet se siguria e jetës dhe integritetit të gjyqtarit është e pacenueshme dhe gur i themelit për një vendimmarrje të drejtë.

Vrasja makabre e kolegut tonë të paharruar, Astrit Kalaja, në sallën e gjyqit, të një prej gjykatave më të rëndësishme në vend, është një ngjarje tmerrësisht e rëndë, e cila ka shkaktuar një dhimbje aq të thellë, sa ka shqyer egërsisht shpirtin e çdo njeriu prej nesh kolegë të Titit, por edhe shpirtrat e çdo njeriu, i cili ka në themel të ekzistencës së tij dashurinë për jetën, respektin për njëri-tjetrin, bashkëjetesën e bazuar në moral e ligj.

Kjo ngjarje e rëndë, e pashembullt në 110 vite ekzistence të shtetit tonë, e padëgjuar në vendet ku sundojnë vlerat më të larta morale demokratike, mes sakrificave, përpiqemi çdo ditë të jemi pjesë, është një këmbanë alarmi drithërues për cilindo individ që jeton e punon në Shqipëri, shqiptar apo i huaj, për ta zgjuar nga agonia ku është zhytur morali i shoqërisë sonë, e ku përpëliten përpjekjet e dështuara të organeve shtetërore për një jetë më të sigurt, të cilat kanë detyrë kushtetuese e ligjore të garantojnë jetën dhe integritetin e gjyqtarëve e gjithë punonjësve të drejtësisë, si premisë e një jete të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët dhe një ekonomie të shëndoshë.

Të nderuar kolegë!
Të gjithë biem dakord se një sistem drejtësie i bazuar në sundimin e ligjit duhet të mbajë në konsideratë në radhë të parë parimet e barazisë para ligjit, të një gjykimi të drejtë e brenda një kohe të arsyeshme; të sigurisë juridike, të kontradiktorialitetit, të barazisë së armëve, të pafajësisë e proporcionalitetit në rast ndëshkimi, në çdo rast e ndaj cilitdo që është subjekt i një procedimi penal.

Trupa gjyqësore përshëndet qëndrimin parimor e mbështetës në disa raste dhe atë kritik konstruktiv në raste të tjera, të mbajtur deri sot nga përfaqësues të politikës dhe mediat. Jemi të bindur se në këtë mënyrë do të forcohet dhe rritet besimi i publikut tek organet e drejtësisë në përgjithësi dhe gjykatat në veçanti.

Ne mirëpresim dhe inkurajojmë çdo kritikë ndaj gjyqtarëve, punës së tyre, performancës dhe sjelljes së tyre brenda dhe jashtë zyrës.

Por situata e rrezikshme nga e cila kërcënohet sot jeta dhe integriteti i magjistratëve, veçanërisht gjyqtarëve, nuk erdhi si një rrufe në qiell të pastër. Ajo është rezultat i klimës së thellë të urrejtjes ndaj çdo punonjësi të sistemit të drejtësisë: avokat, përmbarues, oficer policie gjyqësore, prokuror e veçanërisht gjyqtar. Kjo klimë dashakeqe, nxitëse jo vetëm e urrejtjes verbale, por tashmë e provuar, nxitëse edhe e veprimeve të drejtëpërdrejta kundër jetës dhe shëndetit të gjyqtarëve dhe palëve fituese në gjykim, prej vitesh ushqehet dhe amplifikohet nga diskursi politik dhe mediatik, që shpesh e paraqet gjyqësorin si burim të çdo problemi në shoqëri. Kjo qasje ka dëmtuar besimin e publikut tek drejtësia, ka frymëzuar mosrespekt, fyerje dhe sulme ndaj gjyqtarëve, duke rritur ndjeshëm rrezikun dhe presionin mbi pavarësinë e gjyqësorit.

Gjithashtu, ka vite që kjo klimë urrejtje dhe qasje negative ndaj sistemit gjyqësor kërkon me ngulm arritjen e dy objektivave kryesorë:
a) frikësimin e gjyqtarëve,
b) ndarjen e tyre,

të cilat janë element i qëllimit kryesor – kapjen dhe sundimin e sistemit gjyqësor nga përfaqësues të interesave antikushtetuese, antiligjore, antidemokratike e kriminale.

Ndaj është detyrim moral e ligjor i çdo avokati, përmbaruesi, oficeri policie gjyqësore, prokurori e gjyqtari të tregojnë se nuk frikësohen e nuk përcahen, por janë të vendosur, të bashkuar e të përkushtuar në punën e tyre për të dhënë drejtësi cilësore e në afate kohore të arsyeshme, bazuar në kushtet objektive ku punojnë.

Gjithashtu, është detyrim moral i çdo njeriu të lirë, që punon e jeton në Shqipëri, shqiptar a i huaj qoftë, që beson në vlerat e një sistemi shoqëror të bazuar në liri, demokraci e shtet të së drejtës; është detyrim moral ligjor i çdo institucioni vendas a të huaj, publik, shtetëror a privat, i çdo media e portali, të reagojë sa më parë e fuqishëm ndaj këtyre tendencave frikësuese e përcarëse, që kanë për qëllim kapjen dhe sundimin antikushtetues, antiligjor, antidemokratik e kriminal të sistemit gjyqësor.

Dështimi i shtetit në garantimin e kushteve më minimale të sigurisë, por edhe të punës nëpër gjykata, haset çdo ditë nga ne gjyqtarët e Republikës, por edhe gjithë përdoruesit e gjykatave dhe prokurorive. Mungesa e godinave të përshtatshme, veçanërisht për gjykata e juridiksionit të përgjithshëm në kryeqytet, është një gjendje e cila na shoqëron në mënyrë tallëse prej dekadash; gjykata, që prej dekadash, që funksionojnë në ambiente që janë përdorur dikur si fjetina apo si qendra trajnimi për kafshë polici, apo si ambjente pa asnjë lidhje me sistemin gjyqësor, janë sot vendi i punës së më shumë se 100 gjyqtarëve, qindra sekretareve gjyqësore e nëpunësve të tjerë; janë vendi ku takohen me mijëra njerëz, në konflikt mes tyre, për të zgjidhur problemet nga më të mprehta që njeh shoqëria; e ku si në asnjë institucion tjetër marrin zgjidhje, të cilat materializohen në dhjetra mijëra vendime.

Kjo Mbledhje nuk është mbivendosje apo anshkallim i Këshillit të Lartë Gjyqësor, por tregues i forcës sonë vetëorganizuese, i përgjegjshmërisë ndaj fateve të shoqërisë sonë dhe i solidaritetit njerëzor. KLGJ ka mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e detyrimeve të saj kushtetuese e ligjore, për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve, si pjesë thelbësore e funksionimit të një sistemi gjyqësor të drejtë, të paanshëm e të pavarur.

Ndaj, kjo situatë skandaloze, kjo skamje vrasëse ambientale pune, burimesh njerëzore dhe kjo pasiguri e lartë për jetën dhe integritetin e gjyqtareve dhe përdoruesve të gjykatave duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë.

Nisur nga sa më sipër propozoj që:
a) t’u bëjmë thirrje për përgjegjshmëri publike të gjithë aktorëve institucionalë, politikë dhe mediatikë, që të ndalojnë nxitjen e gjuhës së urrejtjes ndaj trupës gjyqësore. Pa respekt dhe mbrojtje reale të gjyqtarëve, nuk mund të ketë drejtësi të pavarur, shtet ligjor dhe besim të qytetarëve në drejtësi.
b) t’i kërkojmë Qeverisë e Kuvendit të Shqipërisë të ndërhyjë urgjentisht në ligjet për sistemin gjyqësor, në aspektet që kanë të bëjnë me:
• rritjen e sigurisë në punë;
• me sigurinë e jetës, shëndetit e pronës të gjyqtarëve e punonjësve të gjykatave;
• me uljen e ngarkesës në punë e rritjen e cilësisë së gjykimeve dhe zvogëlimin e kohës së përfundimit të proceseve gjyqësore.

Top Channel