
Në konferencën e 3-të të mbrojtjes kibernetike të NATO-s që u mbajt në Tiranë, kryeministri Edi Rama tregoi mobilizimin që pasoi sulmin e rrezikshëm kibernetik që kaloi Shqipëria.
Rama tha se pas sulmit mbi infrastrukturën dixhitale, u bë një investim i jashtëzakonshëm dhe Shqipëria krijoi një nga muret kibernetike mbrojtëse më të mira në NATO. Kryeministri shtoi se vendi la pas një histori të rëndë ryshfetesh pasi tashmë qytetari shqiptar 95% të shërbimeve publike i ka në xhep në telefonin e tij.
“Ishim viktimë e një sulmi të rrezikshëm kibernetik ndaj infrastrukturës tonë dixhitale. Ne kemi investuar në këtë infrastrukturën tonë për një qëllim shumë të rëndësishëm, për të bërë një kapërcim dhe për të lënë pas një histori mjaft të rëndë ryshfetesh. Kështu ne përmes kësaj gjëje ndryshuam marrëdhënien mes qeverisë dhe qytetarëve dhe mes shërbimeve publike të qytetarëve dhe u bëmë një nga të parat vende që nuk kishin sportele për shërbime dhe sollëm 95 përqind të tyre në telefonat e qytetarëve për personat brenda dhe jashtë vendit. Ky ishte synimi. Një investim i jashtëzakonshëm për burimet tona të kufizuara. Jam krenar të them se kemi një prej mureve të mbrojtjes më të mira kibernetike në NATO. Sot përballemi me një sulm kibernetik në çdo 3 minuta, por po ja dalim ti ndalim plotësisht. Kur flasim për sulme që kanë lënë gjurmë, kemi patur 48 në vitin e fundit, kanë lënë gjurmë, por nuk kanë shkaktuar dëme. Është AI në murin mbrojtës kibernetik që na ka ndihmuar të përforcojmë mbrojtjen”, u shpreh kryeministri Rama.
Top Channel