
Elvis Shkambi, 30-vjeçari nga Shkodra që qëlloi për vdekje gjyqtarin Astrit Klaja dy ditë më parë, nuk e kishte herën e parë që ndiqte procese gjyqësore në krah të xhaxhait të tij Gjonit.
Në dëshminë e dhënë në polici nga i plagosuri Ervis Kurtaj, familja e të cilit bashkë me 30 të tjera fitoi gjyqin për pronësinë ish-shkollës së Rezervave në Shkodër, thuhet se seanca e së hënës ishte e qetë, ndryshe nga të tjera, kur Gjon Shkambi ka shkaktuar tension në sallë duke folur e kundërshtuar.
Ervisi thotë se mes familjeve nuk ka pasur komunikim në sallën e gjyqit mesditën e së hënës, ndërsa kujton se ngjarja ndodhi në çastin kur gjyqtari shpalli vendimin që e kthente çështjen sërish për gjykim.
Në atë moment, Elvisi është ngritur nga vendi duke iu afruar gjyqtarit dhe e ka qëlluar 2 herë me plumba nga një pistoletë pa e ndaluar njeri. Plagët e shkaktuara rezultuan fatale për gjyqtarin 60-vjeçar.
Më pas i riu është kthyer nga familja Kurtaj dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Ervis Kurtaj thotë se i ka dalë përpara babait të tij për ta mbrojtur në sallën e mbushur me tension e panik. Por pavarësisht kësaj, nuk ka mundur të pengojë plumbat që e kapën Rakipin në bark, ndërsa vetë ai mori plagë në dorë.
“Sapo dëgjova të shtënat, kapa babin nga dora dhe nisa të largohem drejt korridorit. Kur po kalonim derën e sallës, Elvisi u kthye dhe qëlloi drejt nesh,” shtoi Kurtaj.
Elvis Shkambi por edhe xhaxhai i tij që tymoste cigare pas krimit në dyert e gjykatës u arrestua si bashkëfajtor në krim.
Sipas policisë ai nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit ose ndihmësit.
Po ashtu për krimin e rëndë është arrestuar edhe roja i sigurisë së Gjykatës së Apelit, Banush Koxhaj, i cili lejoi hyrjen e armës brenda gjykatës.
Top Channel