Mbahet në Vlorë Kampionati kombëtar i Boksit, aktiviteti do të zgjasë tre ditë

04/10/2025 19:37

Në pallatin e sportit “Flamurtari” në Vlorë u zhvillua Kampionati Kombëtar i Boksit, ku morën pjesë 52 boksierë nga 12 skuadra të ndryshme.

Rivaliteti në ring nuk mungoi, me duele të forta mes sportistëve më të mirë të vendit.

Ky aktivitet, i cili do të zgjasë tre ditë me radhë, fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në Durrës, por në momentet e fundit u zhvendos në Vlorë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florenc Kolivopuli, e theksoi këtë fakt duke falënderuar klubin “Flamurtari” për mikpritjen dhe organizimin, ndërsa nënvizoi rëndësinë që ka ky kampionat për sportin e boksit në vend.

Edhe trajneri i “Flamurtarit” dhe i ekipit kombëtar, Gëzim Zeneli, u shpreh se gara po zhvillohet me intensitet të lartë dhe se qëllimi kryesor është evidentimi i sportistëve më cilësorë që do të përfaqësojnë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.

Kampionati do të mbyllet të dielën, me shpalljen e ekipit fitues dhe sportistëve më të mirë të aktivitetit.

Top Channel