
Ish-trajneri legjendar i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka shuar përfundimisht spekulimet për një rikthim të shpejtë në stol.
Në një intervistë ekskluzive për The Athletic, tekniku gjerman tha hapur se nuk ndjen asnjë mungesë për jetën intensive të trajnerit.
“Nuk më mungon asgjë nga jeta si trajner”, u shpreh Klopp. “Kam qenë në kaq shumë vende të ndryshme gjatë karrierës, por realisht nuk kam parë asgjë: vetëm hotele, stadiume dhe fusha stërvitore.”
Trajneri 58-vjeçar rrëfeu se tashmë po shijon një jetë më të qetë, larg presionit të përditshëm të futbollit: “Kam qenë vetëm në dy dasma në jetën time: njëra ishte e imja, e dyta ndodhi para dy muajsh. Sa për kinema? Vetëm katër herë – dhe të gjitha në dy muajt e fundit!”.
Ditët e fundit, mediat kishin spekuluar për një interes të mundshëm nga Arabia Saudite, konkretisht nga klubi Al Ittihad, ku luajnë emra si Karim Benzema dhe N’Golo Kanté. Por Klopp duket i qartë në qëndrimin e tij: nuk ka asnjë nxitim për t’u rikthyer.
“Në një moment, kuptova se nuk doja të isha më trajner. A do të rikthehem ndonjëherë? Për momentin, kjo duket si opsioni më i mundshëm – që nuk do të rikthehem. Por kurrë mos thuaj kurrë. Jam 58 vjeç. Nëse do të doja të rikthehesha në moshën 65 vjeç, të gjithë do të më thonin: ‘Po ti the që s’do të bëheshe më kurrë trajner!’ Por tani për tani, kështu e ndjej.”
Klopp u largua nga Liverpool në fund të sezonit 2024/25 pas një periudhe të lavdishme me klubin anglez, ku fitoi Premier League, Champions League dhe trofe të tjerë të rëndësishëm. Prej asaj kohe, është tërhequr nga futbolli aktiv dhe po shijon një pauzë të merituar.
Top Channel