
UEFA ka vendosur të shtyjë planet për një votim mbi pezullimin e Izraelit nga garat europiane, për t’i dhënë një shans planit të ri të paqes, të shpallur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Organi qeverisës i futbollit europian kishte planifikuar një mbledhje të jashtëzakonshme të komitetit ekzekutiv këtë javë, me shumicë të madhe të anëtarëve të prirur për një ndalim. Lajmi për këtë veprim të mundshëm u prit me alarm nga Federata e Futbollit e Izraelit dhe udhëheqësit politikë pas publikimit nga The Times.
Tetë shtete myslimane dhe arabe – Katari, Arabia Saudite, Egjipti, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistan, Indonezia dhe Turqia – kanë shprehur mbështetjen e tyre për planin e paqes dhe UEFA konsideron se tani nuk është koha e duhur për të zbatuar një ndalim, edhe pse kërcënimi mbetet nëse Izraeli vazhdon veprimet e tij në Gaza.
Shtetet thanë se do të bashkëpunojnë me Trump pas propozimit të tij “për të përfunduar luftën, rindërtuar Gazën, parandaluar zhvendosjen e popullsisë palestineze, promovuar një proces të plotë paqeje, dhe siguruar që nuk do të lejohet zhvendosja nga Bregu Perëndimor”.
Së fundmi, një panel këshillues i Kombeve të Bashkuara kishte kërkuar pezullimin e Izraelit, pas përfundimit të një hetimi që arriti në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza. Anëtarët e UEFA-s që mbështesnin pezullimin e krahasuan situatën me Rusinë, e cila është pezulluar nga garat europiane që nga pushtimi i Ukrainës në 2022.
Megjithatë, zhvillimet e javës së fundit pas takimit të Trump me kryeministrin izraelit Binyamin Netanyahu kanë ndryshuar situatën, sipas burimeve të UEFA-s.
Izraeli është anëtar i UEFA-s që nga 1994, pas përjashtimit nga Konfederata Aziatike e Futbollit 20 vjet më parë. Megjithatë, pjesëmarrja e Izraelit dhe klubeve izraelite në garat europiane ka shkaktuar reagime të forta. Në gusht, UEFA organizoi një banderolë në finalen e Superkupës midis Paris Saint-Germain dhe Tottenham Hotspur me mbishkrimin: “Stop Killing Children, Stop Killing Civilians.”
Sipas The Times, disa klube europiane kanë kërkuar nga UEFA nëse mund të shmangin përballjet me kundërshtarët izraelitë. Një ndalim nga UEFA do të kishte nënkuptuar që Izraeli nuk mund të kualifikohej për Botërorin 2026, pasi UEFA administron kualifikueset europiane.
Administrata e Trump ka shprehur qartë kundërshtimin ndaj pezullimit të Izraelit për Botërorin. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha: “Ne do të punojmë fuqimisht për të ndalur çdo përpjekje për të ndaluar ekipin kombëtar të Izraelit nga pjesëmarrja në Botëror.”
Aktualisht, Izraeli ndodhet në vendin e tretë në grupin I të kualifikimeve për Botëror, pas Norvegjisë dhe Italisë. Federata norvegjeze kishte njoftuar se do të dhurojë të ardhurat nga ndeshja kualifikuese ndaj Izraelit më 11 tetor për ndihma humanitare në Gaza, por tani ekziston rreziku që ndeshja të mos zhvillohet. Lojtarët norvegjezë janë shprehur gjithashtu shumë të shqetësuar për ngjarjet në Gaza.
Lise Klaveness, presidente e Federatës Norvegjeze, deklaroi muajin e kaluar: “As ne, as organizata të tjera nuk mund të qëndrojmë indiferente ndaj vuajtjeve humanitare dhe sulmeve të tejskajshme ndaj popullsisë civile në Gaza.”
Në Europa League, Aston Villa do të presë Maccabi Tel Aviv më 6 nëntor. Ky është ekipi i vetëm izraelit i përfshirë në garat europiane dhe kishte hasur protesta gjatë ndeshjes së tij kundër PAOK në Selanik javën e kaluar.
Top Channel