
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Tepelenës pas mesnatës së sotme, ku një biznesmen italian, 44-vjeç, i identifikuar si Edoardo Sarchi, është gjetur i vrarë me armë zjarri në fshatin Salari.
Vrasja ka ndodhur në vendin e quajtur “Dilan”, midis fshatrave Nivicë dhe Salari, në aksin rural që lidh këto dy zona.
Biznesmeni rezulton pronar i një fabrike tullash në kryeqytet. Ende nuk dihen rrethanat e sakta të ngjarjes, ndërkohë që policia thotë se ka ngritur një grup hetimor për të zbardhur vrasjen dhe për të identifikuar dhe kapur autorin/ët.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, trupi i pajetë i shtetasit italian është gjetur rreth orës 00:30, pranë një rruge rurale. Shërbimet e Policisë janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet paraprake.
“Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe për identifikimin e autorit apo autorëve të dyshuar”, thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë.
Top Channel