
Një shtetas italian është gjetur pa shenja jete në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Salari të Tepelenës, në vendin e njohur si “Dilan”. Viktima është një 44 vjeçar, banues në Tiranë. Dyshohet se ai është vrarë me armë zjarri.
Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, trupi i pajetë i shtetasit italian është gjetur rreth orës 00:30, pranë një rruge rurale. Shërbimet e Policisë janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet paraprake.
“Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe për identifikimin e autorit apo autorëve të dyshuar”, thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë.
Në terren janë angazhuar forcat e Drejtorive Vendore të Policisë së Fierit dhe Vlorës, të cilat po kryejnë kontrolle të zgjeruara në zonë dhe në disa ambiente të dyshuara, me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e autorit.
Deri në këto momente, ende nuk ka të dhëna për motivin e krimit apo për personat e përfshirë, ndërsa Policia ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët.
Hetimet vijojnë në mënyrë intensive.
Top Channel