Pesë burra janë dënuar me një total prej 189 vitesh burg, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e dy të rinjve, përfshirë shqiptarin Klevi Shekaj, dhe përpjekjen për të vrarë një tjetër person në Archway, Londër, në vitin 2023.

Sipas Metropolitan Police që i referohet Top Channel, të dënuarit janë: Lorik Lupqi, 21 vjeç, nga St John’s Way, N19; Abel Chunda, 29 vjeç, nga Caldy Walk, N1; Jason Furtado, 28 vjeç, nga Halton Road, N1; Eden Clark, 29 vjeç, nga Huddleston Road, N7; Xavier Poponne, 21 vjeç, nga Halton Road, Islington, N1.

Ata u paraqitën në Gjykatën e Lartë të Old Bailey më 26 shtator, pas një procesi 15-javor, ku u shpallën fajtorë për vrasje të dyfishtë dhe tentativë vrasjeje.

Dy viktimat ishin: Leonardo Reid, vetëm 15 vjeç, dhe Klevi Shekaj, 23 vjeç, shtetas shqiptar.

Ngjarja ndodhi më 29 qershor 2023, kur grupi i të dënuarve sulmoi një turmë të rinjsh që ishin mbledhur në një lagje të Londrës për të xhiruar një videoklip muzikor. Sipas policisë, Leonardo dhe Klevi nuk kishin asnjë lidhje me grupet kriminale, por u sulmuan gabimisht pasi u ngatërruan me rivalë të bandës së të dënuarve.

Leonardo u vra në vendin e ngjarjes, ndërsa Klevi ndërroi jetë në spital nga plagët e marra me thikë. Edhe një tjetër person mbeti rëndë i plagosur nga sulmi.

Lorik Lupqi, një anëtar bande nga Islington, ishte nismëtari i sulmit. Ai kishte parë mbledhjen dhe shkroi mesazh: “opps (rivalët) janë jashtë”. Pasi koordinuan përmes më shumë se 50 thirrjeve telefonike në dy orë, pesëshja u shfaq në vendngjarje dhe kreu sulmin.

Pas ngjarjes, Lupqi u arratis në mënyrë të paligjshme në Kosovë. Ai u ekstradua në Britani në nëntor 2024, me ndihmën e autoriteteve kosovare dhe NCA-së britanike.

Poponne, një tjetër nga autorët, u kap me tekstet e një kënge “drill” ku përshkruante detaje të sulmit që vetëm autorët mund t’i dinin. Ai gjithashtu ndryshoi emrin në rrjete sociale në “X3”, duke iu referuar numrit të viktimave të goditura me thikë.

Të gjithë të pandehurit u dënuan me burgim të përjetshëm, me periudha minimale që duhet të vuajnë para se të mund të kërkojnë lirimin me kusht:

Lorik Lupqi – minimum 39 vite;

Eden Clark dhe Abel Chunda – minimum 38 vite secili;

Jason Furtado – minimum 37 vite;

Xavier Poponne – minimum 37 vite, gjithashtu u dënua për posedim droge dhe armësh të ftohta.

Në gjykatë, nënat e viktimave ndanë dhimbjen e tyre.

Nëna e Klevi Shekajt tha: “Asnjë dënim nuk mund ta kthejë djalin tim, por një vendim i drejtë ndoshta do të shërbejë si paralajmërim për të tjerët. Ai më tha se do të vinte në shtëpi për pesë minuta… në vend të kësaj, policia erdhi në derë me një lajm që më ndryshoi jetën përgjithmonë.”

Nëna e Leonardos u shpreh: “Leo ishte një djalë i mrekullueshëm, i mençur dhe plot jetë. Vrasja e tij ka qenë një akt i ftohtë, i pamëshirshëm. Asnjë numër vitesh nuk e shlyen këtë krim.”

Hetuesi kryesor, Detektiv Jim Barry, deklaroi: “Çdo burrë në këtë grup ka luajtur një rol në këtë sulm mizor. Qoftë duke mbajtur thikën, duke qëlluar, apo duke ndihmuar në fshehjen e të tjerëve, të gjithë janë përgjegjës. Ata do të kalojnë pjesën më të madhe të jetës pas hekurave, siç edhe meritojnë.”

Top Channel