
Babai i vajzës që u vetëhodh nga kati i katërt i banesës së saj ditën e djeshme ka folur në një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”.
Ai deklaroi se vajza ka pasur shqetësime për mënyrën sesi shoqëria sillej me të.
“Te them të drejtën, vajza ka pasur shqetësime gjatë një periudhe nga klasa e 9-të këtu në Sarandë edhe deri tani që ka shkuar në vitin e parë në gjimnaz. Herë pas here më tregon mua si prind gjëra, situata të ndryshme se si shkonte me shoqet ose si silleshin ato me të. Jam munduar t’i them realitetin që jetojmë sot, se bullizmi është vështirë të zhduket.
Kohët e fundit e shikoja që i jepja para për të ngrënë ushqim kur kishin pushim, ajo nuk hante, gjente pretekste të ndryshme. Ajo diçka bluante nga brenda dhe nuk më tregonte. Është shumë e mbyllur në vetvete. Çfarëdo që i thonin shoqet ose shokët, ajo nuk m’i thoshte. Gjithmonë i thosha: “Bije e babit, më trego çfarë ke se do i zgjidhim këto hallet, këto problemet, çfarë të shqetëson?” – më thotë: “O babi, s’kam asgjë”.
Gjithashtu ai është shprehur se kjo nuk ishte hera e parë që vajza ka tentuar t’i japë fund jetës.
“Një rast para dy-tre muajsh këtu në parmakun e korridorit ku zbresim nga shkallët, ishte e mbështetur atje dhe vajta menjëherë edhe i them: Çfarë ke që rri përkulur këtu se bie poshtë edhe me ka thënë “më tha djalli hidhu”.
E mora me kujdes edhe e shtriva në krevatin ku ajo fle edhe kam ndenjur roje atë natë deri në mëngjes. Nuk e di a kam bërë një orë a një orë e gjysmë gjumë, nga meraku që kisha vetëm nga ajo fjalë që më tha, që më shtyu djalli të hidhem. Kjo situatë ka ndodhur para 3–4 muajsh”.
Top Channel