Operacioni i policisë italiane që goditi grupet shqiptare të shpërndarjes së drogës nga Italia në Zvicër, “koka” e organizatës u arrestua në Fier

25/09/2025 12:15

Si pjesë e një operacioni gjithëpërfshirës kundër trafikimit të drogës, Karabinierët e Komandës Provinciale të Firences, nën drejtimin e Distriktit Anti-Mafia të Firences, kryen një sërë operacionesh të koordinuara në 10 provinca italiane.

Operacioni, i quajtur “Fingerprints”, rezultoi në ekzekutimin e 12 urdhër-arresteve dhe njëzet kontrolle shtëpiash, duke përfshirë një kontingjent të madh prej mbi 100 oficerësh.

Në total, u lëshuan 12 urdhër-arreste dhe u kryen 20 kontrolle shtëpiash, ndërsa Policia shqiptare njoftoi dje për kapjen në Portëz të Fierit të një prej personave më të rëndësishëm të organizatës.

Gjykata e Firences lëshoi 12 urdhra arresti, 10 prej të cilëve u ekzekutuan (9 në Itali dhe 1 në Shqipëri), ndërsa 2 shtetas u shpallën në kërkim.

Gjatë këtij operacion u arrestua shtetasi Edison Hoxha, 41 vjeç, lindur në fshatin Portëz të Fierit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

41-vjeçari akuzohet se gjatë periudhës 2020-2021, ka koordinuar veprimtarinë kriminale të një organizate të implikuar në trafikimin e lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, në Shqipëri, Itali dhe Zvicër.

Operacioni u zhvillua njëkohësisht në 10 provinca italiane, me mbi 100 efektivë dhe njësitë speciale me qen antidrogë të përfshirë. Hetimi nisi në zonën e Mugellos dhe zbuloi aktivitetin e tre celulave të ndara, por të lidhura ngushtë mes tyre, të gjitha me në krye shtetas shqiptarë.

Hetimi, i cili zgjati një periudhë të konsiderueshme, zbuloi ekzistencën e një organizate kriminale transnacionale të dedikuar për trafikun ndërkombëtar të drogës.

Struktura organizative ishte komplekse dhe e përhapur gjerësisht, me role të specializuara dhe një rrjet logjistik të sofistikuar që u lejonte atyre të anashkalonin kontrollet dhe të shpërndanin sasi të mëdha droge nëpër territore të ndryshme.

Hetimi, i kryer nëpërmjet përgjimeve, mbikëqyrjes dhe ndjekjes, lejoi rindërtimin e dinamikës operacionale të grupit, duke identifikuar fajtorët kryesorë dhe kanalet e tyre të furnizimit.

Organizata kriminale dukej se vepronte nëpërmjet një sistemi menaxhimi të ndarë në celula, ku secili anëtar kishte një rol specifik, nga logjistika dhe transporti deri te shpërndarja me shumicë dhe pakicë.

Një celulë shqiptare merrej me importimin e kokainës nga Holanda dhe shpërndarjen me shumicë në Itali.

Një tjetër grup trafikonte kokainë nga Firence drejt Zvicrës, duke e shitur më pas me pakicë, së bashku me hashash e marijuanë, kryesisht në kantonin e Zyrihut dhe në disa provinca të Toskanës.

Organizata e tretë, e cila kishte lindur nga ndarja e së parës, përbëhej plotësisht nga shtetas shqiptarë (mes tyre edhe një grua) dhe merrej me importimin e sasive të mëdha të kanabisit nga Zvicra për tregun italian.

Bilanci i operacionit përfshin sekuestrimin e 2 kilogramëve kokainë, 22 kilogramëve marijuanë dhe rreth gjysmë kilogrami hashash. Përveç 12 urdhër-arresteve të lëshuara, gjatë aksionit u prangosën edhe 4 persona të tjerë.

 

Top Channel