Vrasja e 51-vjeçarit në Durrës, krim pasioni? Dyshohet se autori dhe viktima kishin lidhje intime me njëri-tjetrin

25/09/2025 15:42

Detaje të reja janë zbuluar nga hetimet për vrasjen makabre të 51-vjeçarit Valbon Beqiri në Durrës.

Ai u masakrua me mbi 20 goditje thike nga një 24-vjeçar, tashmë i arrestuar nga policia. Burime të grupit hetimor thonë se ndryshe nga pretendimi i autorit, se viktima tentoi ta përdhunonte, dyshohet se vrasja ka qenë e paramenduar. Hetuesit po shqyrtojnë pistën e një lidhjeje intime mes tyre, që mund të ketë sjellë konfliktin fatal.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se Beqiri është goditur që te dera e apartamentit. Pas përleshjes, ai është gjetur nën tavolinën e kuzhinës (vetëm me të mbathura), ndërsa apartamenti ishte i mbuluar në gjak. Ngjarja dyshohet se ka ndodhur brenda një harku kohor prej 25 minutash.

Krimi u zbulua pasi viktima nuk shkoi të merrte djalin e tij nga shkolla, si çdo ditë. Pas kërkimeve një i afërm e gjeti të pajetë në banesën që Beqiri e kishte në ruajtje dhe njoftoi mbrëmjen e së mërkurës policinë. Hetimet zbuluan se krimi ishte kryer paraditen e djeshme, rreth orës 10:00. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 24-vjeçari kishte hyrë në banesë për të blerë lëndë narkotike, por pas një konflikti për motive të dobëta, ai e ka goditur disa herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Policia arrestoi 24-vjeçarin Teilor Tivari dhe një tjetër person që e ndihmoi të largohej nga vendngjarja, ndërsa hetimet po vijojnë për të sqaruar motivet e plota të këtij krimi.

Top Channel