Zbulohet dokumenti sekret i 1972/ Kecat e ngordhur në Orosh u dërguan t’i konsumonin të burgosurit në Spaç

22/09/2025 13:21

Nga Dashnor Kaloçi

Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij Ramiz Alia, me qindra dhe mijëra të burgosur politikë që vuanin dënimet në kampet dhe burgjet e ndodhura në disa rrethe të ndryshme të vendit, nga jugu në veri, përveç mungesës së të drejtave dhe lirive themelore më elementare të jetës së njeriut, u nënshtroheshin edhe kushteve çnjerëzore të punës e jetesës, ku një nga çështjet kryesore ishte ai u mungesës së ushqimit, apo cilësisë së dobët të tij, gjë e cila bënte që të dënuarit politikë (por dhe ata për faje ordinere), të arrinin deri në kufijtë e urisë!

Kjo gjë veç të tjerash është e njohur tashmë, edhe nga dëshmitë e kujtimet e dhjetëra ish-të dënuarve politikë, të cilat menjëherë pas shembjes së komunizmit në fillimin e viteve ’90-të, në shkrimet apo librat e tyre, si dhe emisione të ndryshme televizive, kanë treguar dëshmi rrëqethëse për sa i përket aspektit të urisë në kampe dhe burgje, kryesisht atyre të punës së detyruar dhe të internimit.

Siç kanë qenë: Vloçishti dhe Orman-Pojani që u hapën menjëherë pas mbarimit të luftës për tharjen e Kënetës së Maliqit në fushën e Devollit, ku të dënuarit detyroheshin të hanin edhe barishte, për të shuar sadopak urinë. Kjo gjë, pra uria permanente, vazhdoi edhe më pas në kampin e internimit të Tepelenës, në Urën Vajgurore, Kamza, Porto-Palermo, Ura e Bonës (Peqin-Elbasan), Kuçi, Bedeni, Thumana, e deri tek kampi i Rubikut, Repsit, Spaçit, Qafa e Barit, etj.

Ndërsa historitë e këtyre kampeve të punës së detyruar dhe jo vetëm, tashmë janë të njohura prej dëshmive të ish-të burgosurve politikë që kanë vuajtur vite të gjata dënimi aty, në këtë shkrim po publikojmë një dokument arkivor të rrallë me siglën “Sekret” (tashmë i de-klasifikuar), që i përket vitit 1976, ku nga vetë regjimi komunist (Ministria e Punëve të Brendshme), bëhet e ditur se si trajtoheshin të burgosurit politikë në ato vite, përsa i përket problemit të ushqimit, duke iu dhënë atyre për ushqim, mishin e bagëtive që sëmureshin dhe ngordhin për shkaqe të ndryshme. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti në fjalë i cili publikohet për herë të parë dhe me faksimilen përkatëse, nga Memorie.al

Më 29 dhe 30.11.1976, në kooperativën bujqësore Orosh, sektori Mashterkorit, ngordhën 13 keca dhe 92 të tjerë u dërguan në repartin 303 në Spaç, për therje të sforcuar, pasi nuk kishte mundësi shpëtimi.

Grupi operativ konstatoi se, nga trajtimi i keq i tyre, mbi 70 % e tufës është dobësuar dhe pesha mesatare e çdo keci, është 3.5 kg. Ky trajtim ka filluar qysh nga shkëputja e tufës nga qumështi, duke kaluar në bronkopneumoni. Çështja ndiqet./ Memorie.al

Top Channel