
Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Orges Pukën dhe Klodiana Haskasën, të cilët u vunë në pranga disa ditë më parë nga policia e Fierit, pas finalizimit të operacionit policor të koduar “Prive”.
Sipas organit të akuzës, të dy të ndaluarit dyshohen si pjesë e një aktiviteti të paligjshëm, ku kryesisht shfrytëzohej prostitucioni dhe trafikimi i personave.
Mbi Pukën dhe Haskasën rëndojnë disa akuza të rënda, mes tyre: “Trafikim i personave të rritur”, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” kryer në bashkëpunim, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta” si dhe “Moslëshimi i kuponit tatimor”, të parashikuara nga nenet përkatëse të Kodit Penal.
Seanca në gjykatë u zhvillua me dyer të mbyllura, për shkak të natyrës së çështjes. Përveç dy të arrestuarve kryesorë, gjykata ka shqyrtuar edhe masat për personat e tjerë të përfshirë në këtë dosje.
Për kamarieren Orgita Gajo, u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa për dy shtetaset nga Uganda gjykata caktoi masën “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe njëkohësisht “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërsa policia dhe prokuroria po punojnë për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet të dyshuar shfrytëzimi dhe trafikimi.
Top Channel