Analiza e Currit për ministren AI/ “Diella është djalli”, analisti: Fjalimet e ministrave i tha ajo, ndërsa të opozitës janë shkruar nga ChatGPT

18/09/2025 22:14

Analisti Arian Curri i ftuar mbrëmjen e sotme në “Top Story” nga Grida Duma, komentoi risinë në qeverinë ‘Rama 4’, ministren AI, Diella.

Curri tha se Diella si inteligjenca artificiale është djalli dhe opozita reagoi ashtu sepse nuk është e trajnuar të reagojë kur sheh djallit. Analisti shtoi se mënyra më e mirë e reagimit nga opozita do të ishte të priste që filmi vizatimor i Ramës të mbaronte dhe të çoheshin nga karriget dhe me qetësi të thonin që kjo që ndodhi nuk ishte kushtetuese.

“Diella është djalli. Diella baras me djallin. Opozita është e patrajnuar se si duhet të reagojë kur të shikojë djallin. Rama ka gjetur djallin dhe do ja nxjerrë opozitës sa herë do ta mbarojë seancën sepse nuk ka kohë se do ta dërgojë Shqipërinë vetëm, pra me Edin ose me Diellën.

Dhe opozitës i intereson sepse duket që ata bien me dëshirë në kurth. Madje dëgjova që të gjithë e kishin me nxitim të mbaronin shpejt sepse kishin një after party. Nëse opozita do të bie në kurthin e djallit, le të bjerë.

Sot fjalimet e ministrave i bëri Diella dhe fjalimet e opozitës i bëri ChatGPT dhe nuk lodhet më askush. Ideja është që ky është një teatër i madh i heshtur, pra Rama thotë unë do iu nxjerr djallin dhe ju fluturoni librat dhe të mbyllet seanca sa më shpejt.

Mënyra e vetme që opozita të bëhet më serioze, është që të presë me durim që Rama të mbarojë filmin vizatimor dhe në fund të çohet me maturi dhe me argumentim të mirë dhe thotë, këtu u shkel kushtetuta dhe largohet.

Diella është djalli dhe nuk është gjetja ime, është e filozofëve botëror. Inteligjenca artificiale në të gjithë botën i krijon foto nudo të personazheve. Ku dihet çfarë do i thojë Rama nesër Diellës, i thotë: ‘Bëjë Gaz Bardhin në ndonjë pozicion’ dhe ajo e bën se merr komanda”, tha Curri.

Top Channel