
Anëtarët socialistë në Këshillin Bashkiak Tiranë u mblodhën në selinë e Partisë Socialiste, duke çuar përpara propozimin e kryesocialistit Edi Rama për të shkarkuar Erion Veliajn si kryetar i Bashkisë Tiranë.
Megi Fino, kryetarja socialiste e Këshillit Bashkiak Tiranë, drejtoi këtë mbledhje, e cila zgjati 1 orë e 30 minuta.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, raporton se nga kjo mbledhje u formulua dhe u firmos teksti i kërkesës duke theksuar mungesën 3 mujorëve të Veliajt në detyrë.
U vendos e marta e 23 shtatorit për të futur në rend të ditës te mbledhjes së këshillit votimin e propozimit për të shkarkuar Erion Veliajn. Ndërkohë, nuk është diskutuar thirrja e Veliajt për të folur në këshill përpara votimit.
Ky hap i këshilltarëve socialistë vjen pas deklaratës së një jave më parë të kryeministrit Rama në Asamblenë e PS-së, i cili teksa kërkoi edhe nisjen e procedurës dhe gjetjen e bazës ligjore për largimin e Veliajt, bëri të ditur se Ogerta Manastirliu do të jetë kandidate e socialistëve në zgjedhjet e parakohshme në kryeqytet.
Nga ana tjetër, avokatët e kryebashkiakut në detyrë, pritet që të vijojnë betejën e tyre ligjore edhe në Kushtetuese pasi Këshilli Bashkiak i Tiranës të marrë vendim për shkarkimin e tij.
Teksa hapat ligjorë të avokatëve të Veliajt, i përkasin ditëve të ardhshme, ajo që është vënë re prej të enjtes së kaluar, është fakti se kryebashkiaku ka ndërprerë çdo aktivitet në rrjetet socialiste.
Postimi i fundit në Instagram dhe Facebook është shtatë ditë më parë, ku ai shpërndau një deklaratë të avokatëve të tij, ndërkohë që në TikTok, ku postonte edhe video me mesazhe që linin vend për interpretim, postimi i fundit është në 27 gusht.
Top Channel