Dorëheqja e Angela Rayner pas skandalit të taksave, emërohet zv.kryeministri i ri në Britani

05/09/2025 17:49

David Lammy është emëruar zëvendëskryeministër i Britanisë së Madhe, duke zëvendësuar Angela Rayner, e cila dha dorëheqjen nga ky post si dhe nga detyra e sekretarit për strehim dhe zëvendësudhëheqëses së Partisë Laburiste.

Ndryshimet vijnë pas një skandali taksash lidhur me një apartament të Rayner në Hove, në jug të Anglisë.

Deputetja për Ashton-under-Lyne pranoi se nuk kishte paguar taksën e duhur mbi blerjen e apartamentit prej 800,000 paundësh dhe vetëreferoi rastin te këshilltari i etikës së kryeministrit.

Sipas raportit të etikës, ajo ka shkelur kodin ministror duke mos u përgjigjur siç duhet ndaj paralajmërimeve ligjore. Në letrën e dorëheqjes, Rayner pranon përgjegjësinë për këtë gabim.

Përveç postit të zv.kryeministres, Lammy merr edhe drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkohë, Yvette Cooper është emëruar ministre e Punëve të Jashtme, ndërsa Shabana Mahmood do të jetë ministre e Brendshme, duke zëvendësuar Cooper.

Kryetari i Partisë Laburiste, Keir Starmer, u shpreh i trishtuar për largimin e Rayner, por theksoi se ajo do të mbetet një figurë kyçe në partinë e tyre.

Ky ndryshim në kabinet ndodh në një moment kritik për qeverinë, e cila po përballet me sfida të mëdha politike dhe ekonomike në vend.

Top Channel