
Lisbona është tronditur nga një aksident i rëndë mbrëmjen e djeshme, ku një tramvaj doli nga shinat dhe u përplas me ndërtesat përgjatë një rruge të pjerrët, duke shkaktuar të paktën 17 viktima dhe mbi 20 të plagosur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 me orën lokale, gjatë një udhëtimi të zakonshëm prej 744 metrash në linjën e njohur “Glória”. Karroca e mbushur plot me udhëtarë – rreth 38 persona, mes tyre vendas dhe turistë – humbi kontrollin pasi një kabllo thuhet se u këput, duke e shndërruar mjetin në një “makinë pa frena” që përplasej me shpejtësi në rrugën e pjerrët.
Sipas dëshmitarëve, fillimisht u dëgjua një “zë metalik i fortë” para se tramvaji të dilte nga shinat dhe të rrëzohej mbi trotuar. Tramvaji u përplas më pas me një kthesë të ngushtë të rrugës, duke u shkatërruar përballë një hoteli.
Autoritetet portugeze kanë shpallur tri ditë zie kombëtare, ndërsa mes viktimave janë identifikuar frenuesi i karrocës, André Marques, si dhe një turist gjerman. Viktimat përfshijnë shtetas nga Portugalia, Gjermania, Spanja, Koreja e Jugut, Kanadaja, Italia, Franca, Zvicra, Maroku dhe Kepi i Gjelbër.
Ekspertët ndërkombëtarë paralajmërojnë se sistemi duhej të kishte frena emergjente që nuk funksionuan siç duhet gjatë tragjedisë. Po ashtu, raportime të mediave lokale thonë se kabllot nuk i ishin nënshtruar kontrolleve të përditshme prej ditësh, edhe pse ato janë të detyrueshme, shkruan The Sun.
Fabiana Pavel, kryetare e Shoqatës së Banorëve të Bairro Alto, fajësoi përdorimin e tepërt turistik të linjës, duke thënë se ajo është mbingarkuar dhe është përdorur përtej funksionit të saj si transport publik.
Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë, ndërsa ekipi teknik është ende në vendngjarje për të analizuar dëmet dhe dokumentuar të gjitha provat.
Top Channel