Pushtimi rus, “shoku” Kim premton mbështetje të plotë për luftën e Rusisë kundër Ukrainës

04/09/2025 09:38

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha se shteti i tij e “mbështet plotësisht” ushtrinë e Rusisë, si një “detyrim vëllazëror”, teksa presidenti rus, Vladimir Putin, tha se dy shtetet kanë raporte “speciale”, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve të Phenianit, KCNA, më 4 shtator.

Kim dhe Putin u takuan të mërkurën në margjinat e festimeve në Kinë që u organizuan për të shënuar dorëzimin e Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dy udhëheqësit u ftuan nga presidenti kinez, Xi Jinping, për të marrë pjesë në një paradë masive ushtarake. Kjo ishte hera e parë që udhëheqësit e tri shteteve morrën pjesë në një ngjarje të tillë që nga Lufta e Ftohtë.

“Shoku Kim Jong Un dhe presidenti Putin shkëmbyen opinione të hapura mbi çështje të rëndësishme ndërkombëtare dhe rajonale”, raportoi KCNA-ja.

Putin “çmoi lart” ushtarët e Koresë së Veriut që po luftojnë kundër Ukrainës dhe tha se dy shtetet kanë raporte “të posaçme të besimit, miqësisë dhe aleancës”, tha KCNA-ja.

Koreja e Veriut ka dërguar ushtarë, municione për artileri dhe raketa në Rusi për të mbështetur Moskën në luftën e saj kundër Ukrainës.

Inteligjenca e Koresë së Jugut tha gjatë kësaj jave se afër 2.000 trupa të Veriut, që janë dërguar për të luftuar për Rusinë, janë vrarë.

Seuli beson se Pheniani planifikon të dislokojë edhe 6.000 trupa shtesë, ndërkaq afër 1.000 ushtarë veçse janë në Rusi.

Kim dhe Putin, sipas KCNA-së, biseduan që të rrisin bashkëpunimin mes dy shteteve.

Pas bisedës dhe largimit nga dhoma ku u mbajt takimi, një punonjës i Kimit u pa duke pastruar një karrige dhe një tavolinë që ishin prekur nga lideri. Analistët vlerësojnë se veprime të tilla janë pjesë e masave të sigurisë për të parandaluar që vendet e tjera, edhe ato mike, të përpiqen të mblidhnin informacione për shëndetin e udhëheqësit të Koresë së Veriut.

Vitin e kaluar, Putin dhe Kim nënshkruan një traktat për mbrojtje të ndërsjellë që parashikon që secila palë t’i dalë në ndihmë tjetrës në rast të një sulmi të armatosur. /rel

Top Channel