
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, zhvilloi një takim me Papa Leonin, ku në qendër ishte situata e tensionuar në Lindjen e Mesme dhe roli i komuniteteve fetare në ruajtjen e paqes.
Pas bisedës, Herzog publikoi një mesazh në rrjetin X, ku theksoi angazhimin e vendit të tij për të mbrojtur të krishterët në rajon.
“Izraeli është i përkushtuar për sigurinë dhe mirëqenien e komuniteteve të krishtera në Tokën e Shenjtë. Ne dëshirojmë me padurim një ditë kur popujt e Lindjes së Mesme, Fëmijët e Abrahamit, të jetojnë së bashku në paqe, bashkëpunim dhe shpresë. Të gjithë udhëheqësit e besimit dhe vullnetit të mirë duhet të bashkohen në thirrjen për lirimin e menjëhershëm të pengjeve si një hap i parë dhe themelor drejt një të ardhmeje më të mirë për rajonin,” shkroi Herzog.
Takimi vjen në një kohë kur konflikti mes Izraelit dhe Hamasit vijon prej gati dy vitesh, me pasoja të rënda humanitare në Rripin e Gazës.
Vatikani ka bërë shpesh thirrje për ndalimin e luftimeve dhe hapjen e dialogut, ndërsa Papa ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së civilëve dhe vendeve të shenjta.
Top Channel