‘Një ditë tragjike’/ Aksidenti që la pas 15 të vdekur, qeveria portugeze shpall ditë zie kombëtare

04/09/2025 08:50

Qeveria portugeze ka shpallur ditën e enjte si ditë zie kombëtare, në nderim të 15 viktimave që humbën jetën të mërkurën.

Tragjedia ndodhi në Lisbonë, ku një tramavaji elektrik doli nga shinat dhe u përplas me një ndërtesë gjatë orarit të pasdites.

Në mesin e 18 të plagosurve, ndodhen edhe pesë persona në gjendje kritike për jetën dhe një fëmijë i mitur.

Kryeministri Luís Montenegro anuloi të gjitha aktivitetet publike dhe institucionale, duke konfirmuar pjesëmarrjen vetëm virtuale në një samit ndërkombëtar në Paris. Ndërkohë, Presidenti Marcelo Rebelo de Sousa anuloi një event të planifikuar në Pallatin Belem.

Është një ditë tragjike për qytetin tonë. Lisbona është në zi”, deklaroi me emocione kryetari i Bashkisë së Lisbonës, Carlos Moedas, i cili shpalli tre ditë zie bashkiake.

Funikulari (tramavaji) Ascensor da Glória, një nga simbolet turistike të Lisbonës që funksionon që nga viti 1885, doli nga shinat dhe humbi kontrollin duke u përplasur me një ndërtesë banimi. Kompania Carris tha se të gjitha kontrollet teknike ishin kryer sipas rregullores, ndërsa hetimet janë ende në fazë të parë.

Autoritetet ndërprenë përkohësisht edhe linjat e tjera të transportit urban për inspektime të jashtëzakonshme sigurie.

Tragjedia ka lënë pas jo vetëm humbje njerëzore, por edhe një traumë kolektive për banorët e Lisbonës. Banorët vendosën lule dhe qirinj pranë vendngjarjes, ndërsa flamujt në të gjithë vendin janë ulur në gjysmë shtize.

Top Channel