
Florida planifikon t’i japë fund vaksinimit të detyruar, duke përfshirë këtu atë të nxënësve, siç pohoi kreu i shëndetësisë atje, Joseph Ladapo.
Ekspertët e shëndetit publik menjëherë paralajmëruan se një hap i tillë mund të ketë pasoja të rënda për fëmijët, turistët dhe personat me një sistem të dobësuar imunitar.
Megjithatë Ladapo, së bashku me Guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, e përshkruan vaksinimin si një çështje që duhet të jetë në sferën e zgjedhjes personale. Kryekirurgu madje e krahasoi një detyrim të tillë të imponuar qytetarëve me “skllavërinë”.
“Kush jam unë si zyrtar qeveritar, apo edhe thjesht si njeri, t`ju tregoj se çfarë duhet të bëni me trupin tuaj. Nuk e kam këtë të drejtë. Trupi juaj është një dhuratë nga Zoti”, u shpreh Ladapo.
Ai theksoi se agjencia e tij do të anulojë mandatet për gjysmë duzine vaksinash nën autoritetin e saj, por do të duhet të bashkëpunojë me Legjislaturën e Floridës të dominuar nga republikanët për një paketë më të gjerë reformash.
Ladapo nuk sqaroi se për çfarë vaksinash do të bëhet fjalë saktësisht. Republikani DeSantis, u shpreh se “liria mjekësore duhet mbrojtur, e për këtë, siç u shpreh ai, të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm.
Të gjitha shtetet e SHBA-së kanë detyruime vaksinimi në shkollat publike, me përjashtime specifike që mund të variojnë nga shteti në shtet.
Top Channel