
Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia është e gatshme të vazhdojë luftën për të arritur të gjitha objektivat e saj, nëse Ukraina nuk bie dakord për një marrëveshje paqeje.
Deklarata u bë gjatë vizitës së tij në Kinë, ku mori pjesë në një paradë të madhe ushtarake, e konsideruar si një sfidë ndaj SHBA-së dhe rendit botëror të dominuar nga ajo.
Putin tha se presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur “dëshirë të sinqertë” për t’i dhënë fund luftës, por nuk dha shenja se do të tërhiqet. Nga ana tjetër, Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, që vizitoi Kievin, i tha BBC-së se megjithëse Trump e ka sjellë Putinin në tryezën e bisedimeve, presioni ndaj Kremlinit duhet të rritet.
“Jemi të gatshëm të shtojmë presionin ekonomik ndaj Putinit dhe të japim më shumë ndihmë ushtarake për Ukrainën,” tha Healey.
Takimi i muajit të kaluar në Alaskë mes Trump dhe Putinit u pa si një tentativë për t’i dhënë fund izolimit ndërkombëtar të Rusisë. Trump gjithashtu e ka ftuar Putinin të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Putin u shpreh se nuk e përjashton mundësinë e një takimi me Zelenskyn, por la të kuptohet se nuk sheh ndonjë qëllim real në një takim të tillë pa përgatitje. Nga ana e saj, Ministria e Jashtme e Ukrainës e quajti “tërësisht të papranueshme” idenë që Zelensky të shkojë në Moskë për bisedime.
Presidenti ukrainas po përpiqet të bindë Trumpin që të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë dhe të forcojë mbrojtjen e Ukrainës.
Lufta e nisur nga Rusia në shkurt 2022 vijon me intensitet të lartë. Pyetur nga një gazetar rus në Pekin nëse lufta do të marrë fund së shpejti, Putin tha: “Ka një dritë në fund të tunelit. Nëse mbizotëron arsyeja, mund të arrijmë një zgjidhje të pranueshme. Në të kundërt, do t’i zgjidhim të gjitha detyrat me forcë ushtarake.”
Ai theksoi se Rusia nuk do të tërhiqet nga rajoni i Donbasit, duke përsëritur kërkesën që Ukraina të mos anëtarësohet në NATO dhe të ndalojë atë që e quajti “diskriminim ndaj rusëve etnikë”.
Putin sugjeroi gjithashtu se garancitë e sigurisë që vendet perëndimore premtojnë për Ukrainën pas një marrëveshjeje paqeje, nuk do të vlejnë për territoret e Donbasit, të cilat ai pretendon se janë bashkuar me Rusinë pas një referendumi të kontestuar ndërkombëtarisht.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron pritet të presë një takim të “Koalicionit të Vullnetit”, një grup vendesh që mbështesin Ukrainën. Sipas burimeve nga Elizeu, qëllimi është sigurimi i mbështetjes amerikane për garanci sigurie ndaj Ukrainës dhe arritja e një armëpushimi.
Pavarësisht thirrjeve për një armëpushim, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj qyteteve ukrainase. Vetëm natën e kaluar, janë lëshuar mbi 500 dronë dhe 24 raketa lundrimi.
Sekretari britanik i mbrojtjes theksoi se mbi 30 vende janë të përkushtuara për të ndihmuar Ukrainën të sigurojë hapësirën ajrore, tokësore dhe detare pas një marrëveshjeje paqeje.
“Nuk do të harrojmë luftën gjatë kërkimit për paqe. Prandaj po rrisim ndihmën ushtarake për Ukrainën,” tha Healey. “Sot kemi kaluar 1 miliard paund nga asetet ruse të sekuestruara, të rikthyera si ndihmë ushtarake – në një mënyrë, para të pista të Putinit që po kthehen me interes.”
Top Channel