
Greqia ka miratuar një ligj të ri që mund të çojë azilkërkuesit e refuzuar në burg dhe t’u vendosë gjoba, duke forcuar politikën e qeverisë së qendrës së djathtë për të frenuar emigrantët pa dokumente.
Sipas legjislacionit, ata që nuk largohen brenda 14 ditëve pas refuzimit të kërkesës për azil përballen me dënime nga dy deri në pesë vjet burg, ndërsa gjoba mund të arrijnë 10,000 euro.
Ministri i Migracionit, Thanos Plevris, deklaroi se masa synon të mbrojë qytetarët grekë: “Mesazhi është i qartë: nëse kërkesa juaj për azil refuzohet, keni dy zgjedhje. Ose shkoni në burg ose ktheheni në atdheun tuaj. Shteti grek nuk ju pranon… Nuk jeni të mirëpritur.”
Ligji i ri ashpërson edhe masat parandaluese: emigrantët që hyjnë pa dokumente mund të ndalohen deri në 24 muaj, ndërsa ata që kanë qenë shtatë vjet në vend nuk mund të legalizojnë statusin e tyre.
Ky vendim vjen vetëm dy muaj pas pezullimit 90-ditor të aplikimeve për azil nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, pas një rritjeje të mbërritjeve në ishujt e Kretës dhe Gavdos. Qeveria i përshkruan politikat e saj të migracionit si “të ashpra, por të drejta”, duke mohuar akuzat për kthime të paligjshme të emigrantëve.
Reagimet kanë qenë të menjëhershme. Ekspertët dhe organizatat për të drejtat e njeriut kritikuan ligjin si të ashpër dhe diskriminues. Lefteris Papagiannakis nga Këshilli Grek për Refugjatët e quajti ligjin “racist dhe absurd”, duke theksuar se vendi ka nevojë për emigrantë për të përballuar mungesën e fuqisë punëtore, ndërsa popullsia greke bie.
Disa ish-ministrave të migracionit, si Dimitris Kairidis, paralajmëruan se Athina duhet të lehtësojë edhe rrugët ligjore të migracionit, duke mos u përqendruar vetëm te parandalimi i emigrantëve pa dokumente, veçanërisht në një kohë kur ekonomia kërkon punëtorë në bujqësi, ndërtim dhe turizëm.
Ligji shënon një epokë të re të tolerancës zero për azilkërkuesit e refuzuar, duke vendosur Greqinë në mesin e vendeve më të ashpra në Evropë për politikën e migracionit.
Top Channel