
Një aleate e ngushtë e Donald Trump, kongresmenia republikane Nancy Mace, ka deklaruar se “tani është momenti i duhur për të diskutuar ndjekjen penale të Princit Andrew” pas një seance tronditëse në Kongres për çështjen Epstein.
Mace, përfaqësuese e Karolinës së Jugut dhe aktualisht kandidate për guvernatore, tha se pësoi një “atak paniku të plotë” ndërsa dëgjonte viktimat e trafikut seksual të rrëfenin historitë e tyre.
Në rrjetin X, ajo shkroi: “Po, dola para kohe nga seanca e Komisionit të Mbikëqyrjes me viktimat e Epstein. Si një e mbijetuar e dhunës (jo më shumë se 2 vite më parë), ishte tepër e vështirë për mua të dëgjoja historitë e tyre. Djersë, hiperventilim, dridhje… Nuk mund të merrja frymë.”
Më pas ajo shtoi se tani është koha për të diskutuar për ndjekjen penale të Princit Andrew për çdo krim të mundshëm në tokën amerikane.
Duka i Jorkut ka mohuar akuzat e Virginia Giuffre, e cila ka pretenduar se u trafikuar nga Epstein dhe u abuzua prej tij në moshën 17-vjeçare. Andrew ka thënë se nuk ka ditur asgjë për krimet e Epstein dhe ka refuzuar të dëshmojë përpara autoriteteve amerikane, ndonëse në intervistën famëkeqe për BBC Newsnight në vitin 2019 premtoi se do të ndihmonte hetimet.
Publikimi i 33,295 faqeve dokumentesh nga Departamenti i Drejtësisë këtë javë ka shtuar presionin për hetime të mëtejshme. Dokumentet përfshijnë materiale gjyqësore, pamje nga kamerat e policisë dhe foto tronditëse nga vila e Epstein, duke përfshirë imazhe të tij me figura të njohura botërore.
Në një konferencë para Kongresit, modelja Lisa Phillips deklaroi: “Ne i dimë emrat. Shumë prej nesh janë abuzuar prej tyre. Do t’i përpilojmë vetë listat.”
Ndërkohë, një tjetër e mbijetuar, Anouska De Georgiou, u shpreh e “horrifikuar” që Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e Epstein e dënuar me 20 vjet burg, po mbahet në një burg “si kamp pushimi”.
Pas konferencës së viktimave, Donald Trump reagoi duke i quajtur dëshmitë një “mashtrim demokrat që nuk mbaron kurrë”. Ai i krahasoi me publikimin e dosjeve të vrasjes së JFK dhe shtoi se do të ketë “një rezultat të jashtëzakonshëm në zgjedhjet afatmesme”.
Publikimi i ri i dosjeve dhe presioni në rritje ndaj figurave të fuqishme të lidhura me Epstein po ringjall pyetjet përse ende asnjë personazh i nivelit të lartë nuk është përballur me drejtësinë.
Siç tha Sky Roberts, vëllai i Virginia Giuffre, që ndërroi jetë në prill: “Kjo nuk ka të bëjë me politikën, por me të bërit gjënë e duhur. Nuk mund t’i lejojmë të fuqishmit të fshihen pas pasurisë e ndikimit për të shmangur drejtësinë.”
Top Channel