Alarm në qiellin Europian, Italia mund të fshehë fluturimet shtetërore pas ndërhyrjes GPS në avionin e von der Leyen, Rusia në qendër të akuzave

02/09/2025 17:08

Italia po konsideron masa drastike për sigurinë e fluturimeve të zyrtarëve të lartë, pas incidentit dramatik ku avioni i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, humbi sinjalin satelitor dhe u detyrua të rrotullohej mbi Bullgari për një orë.

Burimet italiane i atribuojnë këtë ndërhyrje Rusisë, e cila ka mohuar çdo përfshirje.

Ngjarja ka ngritur alarmin në të gjithë Bashkimin Evropian: vendet anëtare po diskutojnë mënyra për të mbrojtur fluturimet e liderëve, duke përfshirë fshehjen e rrugëve të avionëve nga faqet e gjurmimit online dhe kufizimin e informacionit publik mbi lëvizjet e zyrtarëve.

Ministri i Mbrojtjes italian, Guido Crosetto, kishte paralajmëruar më parë se ndërhyrjet satelitore po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në hapësirën ajrore pranë Rusisë. Nga Letonia në Finlandë, avionë të qeverive janë prekur nga sinjale të manipuluara GPS, duke rritur shqetësimin për sigurinë ndërkombëtare.

Një ligj italian i vitit 2011 kërkon publikimin e lëvizjeve të ministrave, por tani Italia po shqyrton heqjen e fluturimeve të kryeministrit dhe kabinetit nga platformat e gjurmimit në kohë reale, për të parandaluar rrezikun e ndërhyrjeve të jashtme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, paralajmëroi se aleanca po merr “shumë seriozisht” ndërhyrjet GPS dhe po punon për t’i parandaluar ato në të ardhmen. Incidenti ka ngritur pyetje serioze mbi sigurinë e fluturimeve shtetërore në Evropë dhe mbi aftësinë e Rusisë për të ndërhyrë në teknologjitë kritike ajrore.

Top Channel