Dhunë në Bregun Perëndimor, Kolonët bastisin fshatin palestinez Kousra, hedhin gurë ndaj banorëve Agjërimi me ndërprerje, një nga tendencat më të përhapura të dekadës në ushqyerje, po vihet në pikëpyetje nga një studim i madh shkencor.
Deri më sot, kjo mënyrë të ushqyeri – që konsiston në ngrënie brenda një dritareje prej 8 orësh dhe agjërim për 16 orë – është parë si një mënyrë e thjeshtë për të përmirësuar metabolizmin, për të ndihmuar në riparimin e qelizave dhe madje për të zgjatur jetën.
Shumë figura publike dhe njerëz të famshëm e kanë promovuar, ndërsa nutricionistët paralajmëronin se nuk është një “mrekulli” dhe mund të jetë e rrezikshme për ata me probleme shëndetësore. Por tani, një analizë e re mbi më shumë se 19 mijë të rritur në SHBA ka ngritur një shqetësim të madh: ata që kufizuan të ngrënët në më pak se 8 orë në ditë kishin 135% rrezik më të lartë për të vdekur nga sëmundjet kardiovaskulare krahasuar me ata që hanin në një periudhë 12 deri në 14 orëshe.
Rreziku ishte i pranishëm tek të gjitha grupet – sipas moshës, gjinisë apo stilit të jetesës – dhe ishte veçanërisht i fortë te duhanpirësit dhe tek ata që vuajnë nga diabeti ose sëmundje të zemrës.
Ndërsa lidhja me vdekshmërinë e përgjithshme ishte më e dobët dhe jo e qëndrueshme, rreziku kardiovaskular doli i vazhdueshëm edhe pas korrigjimeve për dietën, cilësinë e ushqimit apo frekuencën e vakteve. Ekspertët theksojnë se studimi nuk provon shkak-pasojë, por gjetjet janë të mjaftueshme për të sfiduar idenë se agjërimi i kufizuar në kohë është rrugë e sigurt drejt shëndetit.
Nga ana tjetër, disa prova të mëparshme tregojnë se agjërimi mund të ndihmojë në rënien nga pesha, përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës dhe uljen e presionit të gjakut. Por mjekët paralajmërojnë për efekte anësore si uria e tepruar, mungesat ushqyese, rënia e muskujve dhe rreziku i hipoglicemisë tek personat me diabet.
Mesazhi i studiuesve është i qartë: nuk është koha për të braktisur plotësisht këtë mënyrë jetese, por duhet kujdes i madh dhe këshillim i personalizuar, sidomos për ata me probleme shëndetësore. Për momentin, thonë ekspertët, më e rëndësishme mbetet çfarë hamë sesa kur hamë.
Top Channel