Salvini sulmon sërish Macronin: Në vend që të thërrasë çdo ditë një ambasador, bën mirë të shohë situatën ekonomike në periferitë e Francës

27/08/2025 12:35

“Bashkimi Ekonomik Evropian funksiononte shumë mirë, ndërsa kjo EuroBurokraci është vdekja e kontinentit tonë.”

“Edhe nga pikëpamja e vlerave, pasi e majta madje ka penguar njohjen e rrënjëve judeo-kristiane të Evropës, shumë qytete tani ndodhen nën ndikimin e forcave islamike autoritare. Në vend që të thërrasë çdo ditë një ambasador, Macron duhet të shqetësohet për situatën ekonomike dhe sociale të shumë periferive franceze». Kështu u shpreh zëvendëskryeministri dhe lideri i Legës, Matteo Salvini, në një intervistë për mediat italiane gjatë takimit të qeverisë italiane në Rimini.

Italia po luan “absolutisht” mirë rolin e saj mbi çështjen e Ukrainës dhe “mbroj qëndrimin tonë të ekuilibruar dhe të mençur, ndryshe nga disa qeveri evropiane dhe disa drejtues në Bruksel të cilët — përsërit ai — këmbëngulin të flasin për armë, ushtri, bomba dhe raketa”. “Të dëgjohet Papa Leone — shton ai — dhe të investohet në diplomaci, në vend që të mendohet për luftëra të pamundura kundër Rusisë, të cilat në të kaluarën, nga Napoleoni te Hitleri, nuk sollën asgjë të mirë”.

Sa i përket çështjes së tarifave, për Salvini-n tani “duhet ndryshuar Evropa, duke hequr burokracinë dhe kufizime si ato mbi motorët me benzinë dhe naftë duke filluar nga 2035-a. Amerika mbron veten dhe bën mirë, Kina dhe India bëjnë të njëjtën gjë, është Evropa që po gabon, siç e kujtoi edhe vetë Draghi pikërisht këtu në takim: Ndërsa fuqitë e tjera inovojnë dhe çlirojnë energji, Brukseli nxjerr norma, kufizime, rregullore absurde dhe ndalime”.
Për zëvendëskryeministrin “përgjigjja nuk mund të jetë “më shumë Evropë”, por përkundrazi një Evropë që, në linjë me atë që mendonin etërit themelues, të merret me më pak gjëra dhe t’i bëjë mirë, duke lënë shtetet kombëtare të vendosin për çështjet që i prekin më nga afër”.

Top Channel