Fotot/ Policia i fik Call Center-in “Denzel” të kokainës në Angli! Dënohen 6 shqiptarë

27/08/2025 17:49

Gjashtë shtetas shqiptarë, anëtarë të një grupi të organizuar kriminal nga Ballkani Perëndimor, janë dënuar me mbi 28 vite burg gjithsej nga Gjykata e Lartë e Swindon, pas një hetimi të thelluar për shpërndarjen e kokainës në qytet.

Sipas komunikatës të policisë Wiltshire të cilës i referohet Top Channel, pas një operacioni gjashtëmujor, Njësia për Krimin e Rëndë dhe të Organizuar në Wiltshire identifikoi banesa dhe automjete që ishin përdorur për fshehjen e drogës, si dhe organizatorët e shpërndarësit kryesorë të rrjetit.

Në qendër të këtij aktiviteti qëndronte 32-vjeçari Saimir Neziraj, i cili drejtonte grupin e shpërndarjes së kokainës të njohur me emrin “Denzel”. Ai organizonte blerjen, mbledhjen e parave dhe furnizimin e linjës me drogë. Ndërkohë, Edmir Beqiri ruante kokainën në Swindon, ndërsa Ardian Gjeta dhe Jorgo Brachousai ishin përgjegjës për shpërndarjen e përditshme në rrugë.

Hetimi përfshiu edhe gjurmimin e takimeve në Londër dhe Midlands, ku Neziraj u pa duke marrë drogën nga Ergys Abdyli, 26 vjeç, në një rrugicë të qetë në Barnet. Ndërkohë, në Derbyshire, Nertil Halili, 29 vjeç, menaxhonte telefonin “Denzel” që përdorej për porositë dhe shpërndarjen e drogës në Sëindon.

Pika e kthesës ndodhi në mars të vitit 2024, kur policia vëzhgoi një takim mes Halilit dhe Nezirajt në West Bromëich. Më pas, u organizua një seri bastisjesh të koordinuara në Sëindon, Derby dhe Londrën veriore, ku u sekuestruan sasi të mëdha kokaine dhe para të gatshme, ndërsa të dyshuarit u arrestuan.

Të arrestuarit pranuan fajësinë për veprat penale të trafikut të drogës dhe u dënuan nga gjykata:

Saimir Neziraj u dënua me 8 vite burg, Nertil Halili me 7 vite e 10 muaj burg, Edmir Beqiri me 3 vite e 8 muaj burg, Ergys Abdyli me 5 vite e 11 muaj burg, Ardian Gjeta me 2 vite e 1 muaj burg dhe Jorgo Brachousai me 16 muaj burg me kusht për dy vite.

Top Channel