OKB shpalli zyrtarisht zi për bukë në Gaza, reagon Netanyahu: Gënjeshtër! Të vetmit që po vdesin nga uria janë pengjet izraelite

22/08/2025 18:28

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu sot e denoncoi si një “gënjeshtër të hapur” një raport të OKB-së që zyrtarisht shpalli zi për bukë në Gaza dhe fajësoi Hamasin për mungesat.

“Izraeli nuk ka një politikë për rritjen e urisë. Izraeli ka një politikë për parandalimin e urisë”, tha zyra e Netanyahut në një deklaratë, duke shtuar se “të vetmit që vdesin qëllimisht nga uria në Gaza janë pengjet izraelite” të Hamasit.

OKB sot zyrtarisht shpalli gjendje urie në Gaza, duke vlerësuar se ajo “mund të ishte shmangur” pa “pengimin sistematik të Izraelit”.

Megjithatë, raporti i OKB-së “injoron përpjekjet humanitare të Izraelit dhe vjedhjen sistematike të ndihmës nga Hamasi”, shkroi Netanyahu, duke shprehur pakënaqësi, sipas të cilit “këto vjedhje janë ato që shkaktuan mungesat e përkohshme, të cilat Izraeli i kapërceu falë” veprimeve të tij.

Top Channel